Një anije britaneze u sulmua në ujërat pranë Jemenit            / Foto: AA

Agjencia detare e Britanisë raportoi se një anije u sulmua sot herët dhe u shënjestrua përsëri më vonë nga "një predhë e panjohur", duke shkaktuar një zjarr në bord dhe duke e lënë anijen pa fuqi motori.

Në një deklaratë, agjencia e Operacioneve Tregtare Detare e Mbretërisë së Bashkuar (UKMTO) tha se mori një raport se anija ishte në shënjestër të një sulmi të mëtejshëm nga një predhë e panjohur, pasi më herët tha se u njoftua për një incident 77 milje detare në jugperëndim të Al-Hudaydahs.

"Ka një zjarr në bord dhe anija ka humbur fuqinë e motorit. Anija nuk është nën komandë", shtoi UKMTO-ja.

Sipas deklaratës, kapiteni i anijes ka raportuar gjithashtu një anije të vogël që vepronte në mënyrë të dyshimtë në afërsi.

Sot më herët, kapiteni i anijes raportoi se anijes iu afruan dy anije të vogla - anija e parë kishte tre deri në pesë persona në bord, ndërsa e dyta kishte rreth dhjetë.

Deti i Kuq është një nga rrugët detare më të përdorura në botë për dërgesat e naftës dhe karburantit.

Grupi jemenas Houthi ka vënë në shënjestër anije mallrash të lidhura me Izraelin në Detin e Kuq dhe Gjirin e Adenit në shenjë solidariteti me Rripin e Gazës, i cili ka qenë nën sulme izraelite që nga 7 tetori i vitit të kaluar.

Në fillim të këtij viti, sekretari i Mbrojtjes i ShBA-së Lloyd Austin njoftoi një mision shumëkombësh, operacionin "Prosperity Guardian", për të kundërshtuar sulmet e Houthive.

TRT Balkan / agjencitë