Të paktën 33 palestinezë të tjerë u vranë në sulmet izraelite në Rripin e Gazës në 24 orët e fundit, duke e çuar numrin e të vrarëve që nga 7 tetori i vitit të kaluar në 44.282.
Ministria e Shëndetësisë në Gaza publikoi një raport mbi bilancin e vdekjeve në 418 ditët e fundit të sulmeve të kryera nga Izraeli në Rripin e bllokuar të Gazës.
“Forcat okupatore izraelite kryen tri masakra të reja në Rripin e Gazës në 24 orët e fundit, në të cilat 33 persona u vranë dhe 134 u plagosën”, thuhet në deklaratë.
Kështu, numri i palestinezëve të vrarë që nga fillimi i sulmeve izraelite është rritur në 44.282, ndërsa numri i të plagosurve në 104.880.
Në deklaratë thuhet se një numër i madh viktimash janë ende të bllokuar nën rrënoja, pasi ekipet e shpëtimit nuk mund të kryejnë operacionet e kërkim-shpëtimit për shkak të sulmeve të vazhdueshme izraelite.