Të paktën 70 palestinezë të tjerë u vranë në sulmet e pamëshirshme izraelite në Rripin e Gazës, duke e çuar numrin e përgjithshëm të vdekjeve që nga tetori 2023 në 46.006, tha të enjten Ministria e Shëndetësisë në enklavë.
Në deklaratën e ministrisë u shtua se rreth 109.378 palestinezë të tjerë u plagosën në sulmet e vazhdueshme.
“Forcat izraelite vranë 70 persona dhe plagosën 104 të tjerë në tre masakra ndaj familjeve në 24 orët e fundit”, tha ministria.
“Shumë njerëz janë ende të bllokuar nën rrënoja dhe në rrugë pasi ekipmet e shpëtimit nuk janë në gjendje të arrijnë deri tek ata,” shtoi ministria.
Izraeli ka vazhduar një luftë gjenocidale në Rripin e Gazës që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor 2023, pavarësisht rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së që bën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm.
Viti i dytë i gjenocidit në Gaza ka tërhequr një dënim ndërkombëtar në rritje, me zyrtarë dhe institucione që i etiketojnë sulmet dhe bllokimin e dërgesave të ndihmave, si një përpjekje të qëllimshme për të shkatërruar një popullsi.
Në nëntor 2024, Gjykata Ndërkombëtare Penale (GjNP) lëshoi urdhra arresti për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me një lëndë gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij vdekjeprurëse në Gaza.