Të paktën 48 palestinezë të tjerë u vranë në sulmet izraelite në Rripin e Gazës, duke e çuar numrin e përgjithshëm të vdekjeve që nga 7 tetori i kaluar, në 40.786, tha të hënën Ministria e Shëndetësisë në enklavë.
Në deklaratën e ministrisë thuhet se rreth 94.224 persona të tjerë ngelen të plagosur nga sulmet.
“Forcat izraelite vranë 48 persona dhe plagosën 70 të tjerë në tri “masakra” të familjeve në 24 orët e fundit” tha ministria, duke shtuar se “Shumë njerëz janë ende të bllokuar nën rrënoja dhe në rrugë pasi ekipet e shpëtimit nuk janë në gjendje të arrijnë deri tek ta.”
Izraeli ka vazhduar ofensivën e tij brutale në Rripin e Gazës pas sulmit nga grupi palestinez i rezistencës Hamas më 7 tetor vitin e kaluar, pavarësisht rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së që bën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm.
Bllokada e vazhdueshme e Gazës ka çuar në mungesa të mëdha të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, duke lënë pjesën më të madhe të rajonit në gërmadha.
Izraeli përballet me akuza për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila ka urdhëruar ndalimin e operacioneve ushtarake në qytetin jugor të Rafahut, ku mbi një milion palestinezë kishin kërkuar strehim përpara se zona të pushtohej më 6 maj.