OBSh-ja: Akuzat izraelite kundër UNRWA-së janë “shpërqendrim”.    /Foto: AA

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh) u ka kërkuar vendeve të vazhdojnë financimin e agjencisë së OKB-së për t’u ardhur në ndihmë refugjatëtëve palestinezë (UNRWA), duke i quajtur akuzat izraelite kundër organit të OKB-së një "shpërqendrim" nga sulmi i vazhdueshëm në Gaza.

Zëdhënësi i OBSh-së Christian Lindmeier në një konferencë shtypi të OKB-së në Gjenevë u shpreh se "Diskutimi tani është një shpërqendrim i asaj që po ndodh çdo ditë, çdo orë, çdo minutë në Gaza."

"Është një shpërqendrim nga afër 27.000 vdekje deri tani, nga të cilat 70 për qind janë gra dhe fëmijë", tha ai.

Lindmeier po u referohej akuzave të fundit nga Tel Aviv se disa nga stafi i UNRWA-s ishin të përfshirë në sulmin ndërkufitar ndaj Izraelit nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor.

Duke argumentuar se, ndërsa këto pretendime duhet të hetohen, ai tha se ato aktualisht shërbejnë si një "shpërqendrim" nga masat që parandalojnë aksesin e një kombi të tërë në ushqim, ujë, strehim dhe energji elektrike.

Ata gjithashtu largojnë vëmendjen nga "granatimet e vazhdueshme" të palestinezëve në Gaza, madje edhe në zonat e caktuara të sigurta, si dhe nga sulmet ndaj "strehëzave, shkollave, spitaleve", shtoi ai.

Vendim thellësisht tronditës

Për shkak të pretendimeve të Izraelit, të paktën 12 vende kanë pezulluar fondet për UNRWA-n, e cila u krijua në 1949 për të ndihmuar refugjatët palestinezë në gjithë Lindjen e Mesme.

Këto vende janë Gjermania, Zvicra, Italia, Kanadaja, Finlanda, Australia, MB-ja, Holanda, ShBA-ja, Franca, Austria dhe Japonia.

Më pas, në një deklaratë të hënën, Amnistia Internacionale u kërkoi vendeve donatore të anulonin vendimin e tyre për të pezulluar fondet për UNRWA-n

“Është thellësisht tronditëse, me të vërtetë çnjerëzore, që disa qeveri kanë marrë vendime që do të shkaktojnë vuajtje të mëtejshme për dy milionë palestinezë”, tha Agnes Callamard, sekretarja e përgjithshme e grupit të të drejtave.

"Palestinezët po përballen tashmë me rrezikun e gjenocidit dhe një zie buke të krijuar vetëm disa ditë pasi vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë arriti në përfundimin se mbijetesa e palestinezëve në Gaza është në rrezik."

Ajo theksoi se është "veçanërisht e tmerrshme" që një veprim i tillë është ndërmarrë lidhur me akuzat që përfshijnë vetëm 12 punonjës nga stafi i përgjithshëm prej 30.000 i UNRWA-s.

UNRWA-ja tha se ndërpreu marrëveshjet me disa punonjës pas akuzave izraelite.


TRT Balkan / agjencitë