Shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh) theksoi se gati e gjithë popullsia në Rripin e Gazës është e uritur, duke e quajtur këtë situatë "çnjerëzore".
"OBSh-ja bën thirrje për akses të menjëhershëm për të gjithë ndihmën humanitare, duke filluar me ushqimin dhe ilaçet për fëmijët e kequshqyer rëndë, të cilët duhet të trajtohen urgjentisht", shkroi Tedros Adhanom Ghebreyesus në X.
OBSh-ja vazhdon të bëjë thirrje për një armëpushim pasi "ilaçi më i mirë është paqja", tha ai të enjten.
Që nga viti 2006, Izraeli ka mbajtur një bllokadë ndaj Gazës, duke e kthyer rajonin në atë që shumë e përshkruajnë si burgun më të madh në botë në ajër të hapur.
Izraeli ka vazhduar ofensivën brutale në Gaza pas një sulmi ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor të vitit të kaluar, pavarësisht rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së që bën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm.
Më shumë se 42.400 njerëz janë vrarë që atëherë, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe mbi 99.100 janë plagosur, sipas autoriteteve lokale shëndetësore.
Sulmi izraelit ka zhvendosur pothuajse të gjithë popullsinë e Rripit të Gazës mes një bllokade të vazhdueshme që ka çuar në mungesa të mëdha të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për veprimet e tij në Gaza.