Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh) shprehu të martën shqetësim "ekstrem" për një shpërthim të mundshëm masiv të poliomielitit në Gaza pas zbulimit të fundit të poliovirusit në ujërat e zeza.
"Jam jashtëzakonisht i shqetësuar për një shpërthim që mund të ndodhë në Gaza," tha Ayadil Saparbekov, drejtuesi i ekipit për emergjencat shëndetësore në OBSh në territorin e pushtuar palestinez, në një konferencë për shtyp të OKB-së në Gjenevë përmes lidhjes me video nga Gaza.
Saparbekov theksoi se ai nuk është i shqetësuar vetëm për shpërthimin e poliomielitit, por edhe për shpërthime të ndryshme të sëmundjeve ngjitëse që mund të ndodhin në Gaza.
Ai tha se asnjë rast njerëzor nuk është konfirmuar ende pasi gjurmët e virusit poliovirus të tipit 2 të rrjedhur nga vaksina janë gjetur në mostrat mjedisore të mbledhura nga ujërat e zeza në Gaza.
Për të identifikuar çdo rast të mundshëm njerëzor, OBSh-ja dhe UNICEF-i do të sjellin deri në 50 komplete mostrash në Gaza në rrotacionin e ardhshëm të ekipit të tyre të enjten, vuri në dukje ai. Mostrat më pas do të dërgohen në një laborator në Jordani për testim.
“Me sistemin e gjymtuar shëndetësor, mungesën e ujit dhe kanalizimeve, si dhe mungesën e aksesit të popullatës në shërbimet shëndetësore, veçanërisht shërbimet e kujdesit shëndetësor parësor, kjo do të jetë një situatë shumë e keqe me të cilën mund të përballemi në Gaza”, tha ai.
OBSh-ja ka raportuar se poliovirusi (varianti 2) është gjetur në të paktën gjashtë mostra të ujërave të zeza në Gaza. Mostrat janë mbledhur nga dy vende të ndryshme: Khan Younis në jug dhe në Deir al Balah në pjesën qendrore të Rripit të Gazës.
Evakuime mjekësore në Spanjë
Saparbekov tha se 16 fëmijë, të evakuuar nga Gaza në Egjipt, do të transferohen në Spanjë, së bashku me 25 shoqërues, të enjten.
OBSh-ja, në bashkëpunim me Qendrën e Koordinimit të Reagimit Emergjent të Komisionit Evropian dhe qeverinë spanjolle, po lehtëson këtë transferim mjekësor, tha ai.
Duke vënë në dukje se janë 13 të mitur të plagosur, një pacient me kancer dhe dy me sëmundje kronike të zemrës, ai falënderoi qeverinë e Spanjës për bujarinë e tyre.