Drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh), Tedros Adhanom Ghebreyesus, theksoi se situata në spitalin Al-Shifa në Gaza është shumë e rëndë.
Në një postim rrjetet sociale, Ghebreyesus tha se OBSh-ja ka arritur të kalojë sërish në komunikim me punonjësit e saj shëndetësorë në spitalin Al-Shifa.
"Situata në spitalin Al-Shifa (në Gaza) është shumë e rëndë. Ka rritje në përmasa katastrofike të vdekjeve të të sëmurëve. Fatkeqësisht, spitali nuk mund të ofrojë më shërbim", tha Ghebreyesus.
"Në spital janë përjetuar 3 ditë me mungesë të energjisë elektrike dhe ujit dhe me internet shumë të dobët", tha Ghebreyesus i cili shtoi se kjo situatë ka ndikuar ndjeshëm në ofrimin e shërbimeve të kujdesit bazë.
Sipas tij, të shtënat dhe bombardimet e vazhdueshme që dëgjohen në rajon vazhdimisht përkeqësojnë edhe më shumë kushtet të cilat tashmë janë kritike, derisa bëri thirrje për "armëpushim të menjëhershëm" duke nënvizuar se bota nuk mund të qëndrojë e heshtur që spitalet të cilat duhet të jenë zona të sigurta të shndërrohen në hapësira ku përjetohet vdekje, shkatërrim dhe dëshpërim.