Shefi i OKB-së për të drejtat e njeriut tha të hënën se ishte "thellësisht i shqetësuar" nga rreziku në rritje i një konflikti më të gjerë në Lindjen e Mesme dhe bëri thirrje për një de-përshkallëzimin e menjëhershëm.
"Jam thellësisht i shqetësuar për rrezikun në rritje të një konflikti më të gjerë në Lindjen e Mesme dhe kërkoj nga të gjitha palët, së bashku me shtetet me ndikim, të veprojnë urgjentisht për të depërshkallëzuar një situatë që është bërë shumë e pasigurt," tha Volker Turk.
Turk u kujtoi palëve se të drejtat e njeriut dhe mbrojtja e civilëve duhet të jenë prioritetet kryesore.
Duke vënë në dukje se civilët, kryesisht gra dhe fëmijë, kanë vuajtur tashmë "dhimbje dhe vuajtje të padurueshme" si rezultat i bombardimeve gjatë 10 muajve të fundit, Turk shtoi: "Duhet bërë gjithçka për të shmangur që kjo situatë të shkojë më tej në një humnerë që vetëm do ketë pasoja më të tmerrshme për civilët”.
Tensionet në rajon u përshkallëzuan më tej pasi shefi politik i Hamasit Haniyeh, u vra në Teheran të mërkurën. Ndërsa Hamasi dhe Irani kanë fajësuar Izraelin për vrasjen, Tel Avivi nuk e ka konfirmuar dhe as mohuar përfshirjen e tij.
Vrasja erdhi një ditë pasi komandanti i Hezbollahut, Fuad Shukr, u vra në një sulm ajror izraelit në periferitë jugore të Bejrutit.
Frika për një luftë të gjithanshme midis Izraelit dhe Hezbollahut është rritur pasi të dyja palët shkëmbyen sulme ndërkufitare.
Përshkallëzimi vjen përderisa sulmet vdekjeprurëse izraelite në Gaza vazhdojnë, dhe kanë vrarë më shumë se 39.500 njerëz që nga tetori i vitit të kaluar.