Komisari i përgjithshëm i Agjencisë së OKB-së për Refugjatët Palestinezë (UNRWA) tha se pavarësisht nevojës për të dërguar të paktën 500 kamionë ndihma humanitare në ditë në Gaza, ku Izraeli vazhdon sulmet, muajin e kaluar janë lejuar të kalojnë vetëm 30 kamionë ndihma në ditë, transmeton Anadolu.
Lazzarini bëri një deklaratë nga llogaria e tij në median sociale X lidhur me pengesën e ndihmave në Gaza të cilën Izraeli e ka çuar në katastrofë humanitare duke e lënë me forcë në uri dhe pa ujë.
Lazzarini deklaroi se Izraeli në muajin tetor lejoi mesatarisht vetëm 30 kamionë ndihma të hynin në Gaza dhe theksoi se ky ishte niveli më i ulët i ndihmës në kohët e fundit dhe se ndihma ka rënë në nivelin e fillimit të sulmeve.
Ai vuri në dukje se pengesa e ndihmës nga Izraeli pamundëson plotësimin e nevojave të më shumë se 2 milionë njerëzve në Gaza që ndodhen nën sulme, shumica e të cilëve janë në uri, të sëmurë dhe në kushte të dëshpëruara.
Zyrtari i OKB-së theksoi gjithashtu se numri i kamionëve me ndihma që arrinin në Gaza përfaqësonte vetëm 6 për qind të ndihmave të lejuara përpara sulmeve të Izraelit.
Në deklaratën e bërë sot nga Zyra për Media e Qeverisë në Gaza, thuhet se ushtria izraelite përdor armën e urisë dhe mungesën e ujit kundër civilëve dhe se Izraeli pengoi 3.800 kamionë të ngarkuar me ndihma dhe materiale të hynin në Rripin verior të Gazës. Ndërkaq, u njoftua se rreth 400 mijë njerëz, më shumë se 100 mijë prej tyre fëmijë, janë lënë qëllimisht në uri.
Pasi miratoi në parlament më 28 tetor dy projektligje që ndalonin veprimtarinë e UNRWA-së, e cila ofron ndihmë për 2,5 milionë palestinezë, Izraeli njoftoi OKB-në se marrëveshja që rregullonte aktivitetet e UNRWA-së në Izrael është anuluar.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në një postim që bëri në llogarinë e saj në X, u shpreh se "Aktualisht ka nevojë që të hynë (në Gaza) të paktën 500 kamionë ose ndihma ekuivalente në ditë".