George Katrougalos, raportuesi i Kombeve të Bashkuara (OKB) për rendin ndërkombëtar, tha se është "e mjerueshme" që vendet evropiane vazhdojnë t'i shesin armë Izraelit.
Katrougalos, i cili vizitoi Gjenevën me rastin e sesionit të 57-të të Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, foli për Anadolu Agency për ngjarjet në Gaza dhe Bregun Perëndimor të pushtuar, të cilat janë nën sulme intensive izraelite që nga 7 tetori 2023.
"Në Gaza po ndodh një tragjedi. Dhjetëra mijëra civilë janë vrarë, shumica prej tyre fëmijë dhe gra," tha Katrougalos, duke shtuar se komuniteti ndërkombëtar nuk mund të qëndrojë pasiv në lidhje me këto krime.
Ushtrimi i presiot mbi Izraelin
Ai tha se vendet e botës duhet të paktën të bëjnë presion ndaj Izraelit për të ndaluar luftën në Gaza dhe për të vendosur një armëpushim të menjëhershëm.
Ai kujtoi se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GjND) mori një vendim të qartë se pushtimi izraelit i të gjitha territoreve palestineze është i paligjshëm.
"Kjo situatë ka të bëjë me Bregun Perëndimor dhe Gazën. Çdo dhunë ndaj njerëzve që jetojnë në territoret e pushtuara është e ndaluar nga ligji ndërkombëtar. Unë jam shumë i shqetësuar për atë që po ndodh në Bregun Perëndimor sepse shoh një përshkallëzim të qartë në atë që po ndodh atje. Shpresoj se presioni ndërkombëtar mund të parandalojë që gjëra edhe më të këqija të ndodhin atje”, tha Katrougalos.
Ai vuri në dukje se GjND-ja dhe Gjykata Penale Ndërkombëtare kanë bërë të gjitha përpjekjet e nevojshme në këtë proces, duke shtuar se kërkesa e kryeprokurorit të GJjNP-së Karim Khan për një "urdhërarrest" për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ministrin e mbrojtjes Yoav Gallant është ende në pritje.
Standardet e dyfishta
Ai theksoi se është e rëndësishme që Këshilli i Sigurimit i OKB-së të veprojë me vendosmëri dhe bashkim për të ndalur luftën në Gaza.
"Shumë vende po tregojnë standarde të dyfishta. Nëse kjo situatë vazhdon, ajo do të prekë jo vetëm Palestinën, por edhe të ardhmen e multilateralizmit dhe vetë OKB-në," tha Katrougalos.
Ai theksoi se sjellja e shumë vendeve evropiane është veçanërisht zhgënjyese.
"Është për të ardhur keq që vendet evropiane vazhdojnë t'i shesin armë Izraelit në situatën aktuale. Bashkimi Evropian (BE) është ende i ndarë. Vende si Spanja dhe Irlanda thonë se lufta duhet të ndalet dhe shteti palestinez të njihet. Vendet e tjera mbeten të heshtura. Besoj se është vërtet e trishtueshme dhe diçka që duhet të ndryshojmë në të ardhmen”, tha Katrougalos.