OKB-ja: Nuk ka më vend të sigurt për civilët në Gaza.    /Foto: AA

Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) tha se duhet të hetohen pamjet që tregojnë ushtarët izraelitë duke vrarë dy civilë palestinezë dhe duke i varrosur trupat e tyre në rërë.

"Nuk ka më një vend të sigurt për civilët në Gaza", u tha gazetarëve në Nju Jork zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric.

Ai theksoi se kishte parë një video të dy civilëve palestinezë duke u vrarë dhe trupat e tyre të varrosur në rërë.

“Sigurisht që ne nuk mund ta konfirmojmë regjistrimin, por është një ngjarje tronditëse”, tha ai.

Dujarric theksoi se rasti duhet të hetohet në mënyrë gjithëpërfshirëse.

Në një video të publikuar në kanalin “Al Jazeera”, shihen ushtarët izraelitë duke hapur zjarr dhe duke vrarë dy palestinezë që po përpiqeshin të ktheheshin në shtëpitë e tyre në veri të Rripit të Gazës.

Sulmet izraelite në Rripin e Gazës që nga 7 tetori kanë vrarë 32.552 palestinezë, duke përfshirë të paktën 14.280 fëmijë dhe 9.340 gra, ndërsa kanë plagosur 74.980 njerëz. Nën rrënoja janë mijëra të vdekur.

TRT Balkan / agjencitë