OKB-ja paralajmëron Izraelin të mos zgjerojë pushtimin në jug të Gazës / Photo: UN Human Rights 

Zëdhënësi i Komisarit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut (UNHRC) Jeremy Laurence tha se zgjerimi izraelit i pushtimit të Rripit të Gazës drejt jugut përbën një rrezik të madh, duke theksuar se mbrojtja e civilëve është prioriteti i parë, raporton Anadolu.

Laurence në një konferencë për shtyp në Gjenevë tha se në këtë moment është thelbësore të ndalet lufta dhe vuajtjet njerëzore.

Kur u pyet se Izraeli po përgatitet të zgjerojë pushtimin e Rripit të Gazës në jug dhe cili është reagimi i OKB-së për një mundësi të tillë, Laurence tha se ligji ndërkombëtar humanitar duhet të respektohet gjithmonë.

"Reagimi ynë, si gjithmonë, është se ligji ndërkombëtar humanitar duhet të jetë në krye. Prandaj, mbrojtja e civilëve, pronave dhe mjeteve të tyre të jetesës duhet të jetë prioritet. Megjithatë, nëse Izraeli tani po përparon drejt jugut, kjo është thirrja e fundit për ta, të ndalet”, tha ai.

Më pas, ai theksoi fuqimisht nevojën urgjente për një armëpushim në Gaza.

"Jetët e civilëve janë në rrezik, më shumë se 10 mijë civilë janë vrarë, kjo është një çmenduri e vërtetë. Shumica e të vrarëve janë gra dhe fëmijë. Ka vetëm një zgjidhje dhe ajo është një armëpushim. Këto gjëra duhet të ndalen", shtoi ai.

Ai theksoi sërish se zgjerimi izraelit i okupimit drejt jugut të Rripit të Gazës do të çonte në një fatkeqësi edhe më të madhe gjithë rajonin.

"Rreziqet e kësaj janë jashtëzakonisht të larta. Ka edhe më shumë njerëz në jug të Gazës tani sepse ata ikën nga veriu. Nuk mund të shtyni dy milionë njerëz në një zonë sa gjysma e një qyteti dhe t'i lini të ekspozuar ndaj zjarrit të mundshëm të artilerisë dhe luftimeve në rrugë. Mbrojtja e civilëve është thelbësore dhe duhet të jetë prioritet tani. Zgjidhja e vetme është ndalimi i luftës", tha Laurence.


TRT Balkan / agjencitë