Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) njoftuan se fluksi i ndihmave humanitare në Gaza është ulur me 67 për qind që nga 7 maji, kur u mbyll vendkalimi kufitar Rafah.
Zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric, paralajmëroi në konferencën e përditshme për shtyp dje se bombardimet izraelite ndaj Gazës vazhdojnë intensivisht.
Duke vënë në dukje se fluksi i ndihmave në Gaza është ulur me 67 për qind, ai theksoi se arsyeja kryesore për këtë është mbyllja e pikës kufitare Rafah.
Dujarric tha gjithashtu se shërbimet shëndetësore dhe komunale u mbyllën një nga një.
Ai paralajmëroi se aktualisht vetëm një spital në Rafah mund të ofrojë shërbim të pjesshëm, duke shtuar se OKB-ja dhe partnerët e saj po përpiqen të ofrojnë ndihmë për civilët pavarësisht kushteve të vështira në terren.
Para fillimit të operacionit ushtarak izraelit në Rafah më 6 maj, qyteti ishte shtëpia e më shumë se 1,5 milion palestinezëve të zhvendosur që u larguan nga zona të tjera të Rripit të Gazës për shkak të sulmeve izraelite të nisura më 7 tetor 2023, pas një sulmi nga Hamasi.
Që nga fillimi i sulmeve izraelite më 7 tetor të vitit të kaluar, më shumë se 36.100 palestinezë janë vrarë në Gaza, kryesisht gra dhe fëmijë, shumica e infrastrukturës është shkatërruar, dhe sulmet dhe bllokadat izraelite kanë çuar në një fatkeqësi humanitare.
Izraeli akuzohet për gjenocid para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Një vendim i përkohshëm në janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të siguruar që ndihma humanitare të ofrohet për civilët në Gaza.