“Është e qartë se izraelitët anojnë më shumë drejt ekstremizmit, që gjithashtu nënkupton se agresioni ndaj njerëzve tanë do të rritej”, tha për Reuters zëdhënësi i Hamasit, Hazem Qassem. / Photo: AA

Zyrtarët palestinezë në Bregun Perëndimor nën okupim dhe enklavën Gaza thanë se fitorja e mundshme e Netanyahut dhe koalicionit të tij ultra-djathtist nënkupton shtimin e dhunëz ndaj palestinezëve.

Perspektiva e kthimit në pushtet të Benjamin Netanyahut, në krye të një prej koalicioneve më të djathta në historinë e Izraelit ka ngjallur shqetësim te palestinezët të cilët thonë se druajnë se mund të jetë një prelud për përshkallëzimin e mëtejmë të konfliktit me Izraelin.

Rikthimi i Netanyahut në zgjedhjet e së martës vjen në sfondin e periudhës më vdekjeprurëse të dhunës ndër vite mes Izraelit dhe palestinezëve, shpresat e të cilëve për shtetësi duken po më të largëta se kurrë me paqen në acarim në Lindjen e Mesme.

Mbi 100 palestinezë nga Bregu Perëndimor i okupuar nga Izraeli janë vrarë nga forcat izraelite gjatë këtij viti, përderisa një varg sulmesh nga palestinezët kanë lënë të vdekur 20 persona në Izrael dhe vendbanimet izraelite.

Zyrtarët palestinezë në Bregun Perëndimor nën okupim dhe enklavën Gaza thanë se shqetësime për rritjen e tensioneve po ngjall kompleksi ultra-nacionalist i koalicionit të mundshëm të Netanyahut, bashkë me elementin nxitës Itamar Ben-Gvir, i cili dikur mbështeste dëbimin e palestinezëve.

“Nuk ka dyshim se rezultati i një koalicioni të tillë do të rrisë qëndrimin armiqësor ndaj palestinezëve dhe do të ashpërsojë masat e okupimit”, i tha Reutersit Bassam Salhe, anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Organizatës Çlirimtare të Palestinës, në qytetin Ramallah të Bregut Perëndimor.

Hamas, që ka luftuar disa luftëra me Izraelin gjatë dekadës së fundit, parashikon se rezultati i zgjedhjeve do të thotë më shumë dhunë potencialisht.

“Është e qartë se izraelitët anojnë më shumë drejt ekstremizmit, që gjithashtu nënkupton se agresioni ndaj njerëzve tanë do të rritej”, tha për Reuters zëdhënësi i Hamasit, Hazem Qassem.

Qassem përkujton gjithashtu se qeveritë e Netanyahut kanë nisur disa luftëra kundër popullit palestinez dhe prezenca e figurave më ekstreme në koalicionin e tij nënkupton se palestinezët do të ballafaqohen edhe më shumë me terrorizmin zionist.

Netanyahu kundërshton shtetësinë e Palestinës

Zëdhënësi i presidentit palestinez Mahmoud Abbas, autoriteti i të cilit ushtron autonomi të pjesshme ndaj disa qyteteve palestineze në Bregun Perëndimor nën okupim, refuzoi të komentojë rezultatet preliminare të zgjedhjeve, duke thënë se do të presin rezultatin final.

Përderisa bisedimet mes Autoritetit Palestinez dhe Izraelit kanë qenë në vendnumëro, palët kanë zhvilluar kontakte gjatë këtij viti, me takimin e Abbasit me ministrin izraelit të mbrojtjes Benny Gantz për të qetësuar tensionet dhe koordinuar masat e sigurisë.

Në shtator, Abbas mirëpriti thirrjen e kryeministrit izraelit Yair Lapid për zgjidhje që parashikon dy shtete të veçanta, duke e quajtur si “zhvillim pozitiv”.

Netanyahu në anën tjetër tashmë një kohë të gjatë kundërshton shtetin palestinez.

Gjatë dhunës më të fundit në Bregun Perëndimor, trupat izraelite vranë një palestinez të mërkurën pas një sulmi të dyshuar me veturë ndaj një punkti izraelit që la të lënduar disa ushtarë, thanë zyrtarët palestinezë dhe izraelitë.

Dhuna gjithashtu u përshkallëzua në gusht në Gaza. Të paktën 49 persona, përfshirë 17 fëmijë, u vranë në luftimet 56-orëshe që filluan me atë që Izraeli e quajti “sulme parandaluese ajrore ndaj grupit të Xhihadit Islamik Palestinez”, të cilët lëshuan qindra raketa në Izrael gjatë luftimeve.

TRT World