Palestinezët në Gaza falënderojnë studentët amerikanë për solidarizimin       / Foto: AA

Në kohë kur protestat pro Palestinës po vazhdojnë të shtohen nëpër kampuset e kolegjeve amerikane, popullsia e zhvendosur e Rripit të Gazës ndau mesazhe falënderimi për solidaritetin e studentëve, pedagogëve dhe të tjerëve që po protestojnë kundër ofensivës së Izraelit.

Duke përdorur mjetet e kufizuara të shprehjes që kanë mbetur në territorin e bllokuar, ku sulmet izraelite kanë vrarë mbi 34.400 njerëz, palestinezi Abu Youssef Hamad shkroi në anglisht në tendën e tij: “Faleminderit, studentë në solidaritet me Gazën! Mesazhi juaj u mor”.

Duke folur për Anadolu, Hamad, 43 vjeç, tha se palestinezët në Gaza “nuk kishin asnjë mënyrë për të shprehur mirënjohjen tonë për studentët që protestojnë në Amerikë, përveçse të shkruanin një letër falënderimi në tenda”.

“Falënderojmë të gjithë studentët që qëndruan me ne dhe shprehën solidaritetin e tyre si rezultat i luftës gjenocidale që po ndodh në Gaza”, shtoi ai.

“Faleminderit, universitete amerikane”, shkruhej në një tjetër nga tendat e ngritura në qytetin jugor Rafah, ku 1,4 milion njerëz të zhvendosur nga pjesë të tjera të enklavës janë strehuar.

Hamad shtoi: “Shprehim falënderimet tona për të gjithë ata që qëndrojnë me ne”.

Ai u bëri thirrje studentëve të vazhdojnë demonstratat “derisa të përfundojë lufta shkatërruese izraelite që ka vazhduar në Rripin e Gazës që nga 7 tetori”.

Studentët në Universitetin Columbia në New Yorkut nisën një protestë në kampus më 18 prill për të protestuar ndaj lidhjeve të vazhdueshme financiare të shkollës së tyre me kompanitë që mbështesin pushtimin e territorit palestinez nga Izraeli dhe “gjenocidin” në Gaza.

Demonstratat propalestineze të studentëve që atëherë janë përhapur në universitete të tjera kryesore amerikane, duke përfshirë Universitetin Politeknik Shtetëror të Kalifornisë, Humboldt; Universitetin e Kalifornisë, Berkeley; Universitetin e Kalifornisë Jugore; Universitetin e Teksasit në Austin; Universitetin Yale; Universitetin e Minesotës; Kolegjin Swarthmore dhe Universitetin Pittsburgh në Pensilvani; Universitetin Rochester në New York; Instutitin e Teknologjisë në Masaçusets (MIT); Universitetin Tufts; Kolegjin Emerson; Universitetin Emory; dhe Universitetin e Miçiganit në Ann Arbor.

TRT Balkan / agjencitë