Për herë të parë që nga 7 tetori 2023, palestinezët në Gaza u zgjuan pa sulme izraelite.
Pas një marrëveshjeje armëpushimi dhe shkëmbimi të të burgosurve midis Tel Avivit dhe Hamasit, palestinezët në Gaza e filluan ditën pa zhurmë bombardimesh.
Marrëveshja e armëpushimit dhe shkëmbimit të të burgosurve midis Izraelit dhe Hamasit hyri në fuqi të dielën.
Me hyrjen në fuqi të armëpushimit pushuan edhe sulmet e ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës, të cilat kishin zgjatur prej 471 ditësh. Për herë të parë në më shumë se 15 muaj, banorët e Gazës mundën të kalonin një natë pa zhurmë bombash dhe shpërthimesh.
"Natën e parë fëmijët e Gazës fjetën pa frikë dhe pa bombardime. Faleminderit Zotit", ka shkruar Yusuf Hamada në rrjetet sociale.
Sulmet izraelite që nga 7 tetori 2023 kanë vrarë 46.913 palestinezë, duke përfshirë 17.841 fëmijë dhe 12.298 gra.
Për muaj të tërë, palestinezët u kanë thënë lamtumirë të dashurve të tyre para morgjeve të spitaleve në Rripin e Gazës. Sot nuk është kështu.
Gazetari Abu Bakr Abid ndau një video që ai regjistroi jashtë morgut të spitalit Al-Aksa në qendër të Gazës.
"Kjo është hera e parë që morgu i këtij spitali është i mbyllur. Nuk ka më vrasje, jo më mjerim, jo më trupa dhe gjak. Skenat e tmerrshme nuk janë më", ka shkruar ai.