Asambleja Kombëtare e Sllovenisë e mbështeti vendimin për njohjen e pavarësisë dhe sovranitetit të shtetit të Palestinës me 52 vota “pro”.
“Njohja e sotme e Palestinës si një shtet sovran dhe i pavarur i dërgon shpresë popullit palestinez në Bregun Perëndimor dhe Gaza”, tha kryeministri slloven Robert Golob, njoftoi qeveria në Platformën X.
Partia Demokratike Sllovene (SDS) e opozitës tërhoqi propozimin për referendum konsultativ për njohjen e Palestinës, të cilin e paraqiti të hënën, pak para fillimit të seancës. Në seancë, partia ka paraqitur propozim të ri për shpalljen e referendumit konsultativ, ndërsa deputetët e saj janë larguar nga seanca.
Për shkak të propozimit të ri, seanca e Kuvendit të Shtetit është ndërprerë dhe është thirrur seanca e Komisionit parlamentar për politikë të jashtme me propozimin e SDS-së për shpalljen e referendumit konsultativ. Pasoi një seancë e jashtëzakonshme e Asamblesë Kombëtare, ku të 52 deputetët e pranishëm hodhën poshtë propozimin për thirrjen e një referendumi konsultativ, raportuan mediat sllovene.
Sipas ligjit slloven, vetëm Asambleja e Shtetit (Asambleja Kombëtare) ka autoritetin për të njohur pavarësinë e shteteve.
Në seancën e 30 majit, Qeveria e Sllovenisë miratoi një vendim për t'i propozuar Kuvendit të Shtetit njohjen e Palestinës si shtet sovran dhe i pavarur, pas së cilës simbolikisht u shfaq flamuri palestinez.
Më 9 maj, Qeveria e Sllovenisë nisi procedurat për njohjen e shtetit të Palestinës. Më pas ajo njoftoi se vendimin do ta dërgonte në Asamblenë Kombëtare jo më vonë se data 13 qershor.