Parlamenti italian i kërkoi Qeverisë të mbështesë armëpushimin në Gaza       / Foto: AA

Parlamenti i Italisë ka miratuar një mocion që i bën thirrje qeverisë të mbështesë nismat për armëpushim në Gaza, ku sulmet izraelite kanë vrarë të paktën 28 mijë palestinezë.

Sipas tekstit të miratuar nga ligjvënësit, mocioni kërkon nga qeveria “të mbështesë çdo iniciativë që synon të kërkojë një armëpushim të menjëhershëm për arsye humanitare”.

Që nga sulmi ndërkufitar i Hamasit në Izrael më 7 tetor, kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, vazhdimisht ka pohuar se Izraeli ka të drejtë të mbrohet, por gjithashtu ka kritikuar Tel Avivin për mënyrën se si po e drejton luftën në enklavën e bllokuar.

“Në këtë pikë, reagimi i Izraelit është jo-proporcional, ka shumë viktima që nuk kanë asnjë lidhje me Hamsin”, tha më herët gjatë ditës shefi i diplomacisë italiane, Antonio Tajani.

Partitë opozitare, të cilat paraqitën mocionin, në shumë raste kanë kërkuar nga qeveria që të bëjë më shumë përpjekje diplomatike për të arritur përfundimin e luftës.

Mocioni i miratuar po ashtu kërkon nga Roma të mbështesë iniciativat për krijimin e korridoreve humanitare për të shpëtuar civilët në Gaza, për të informuar parlamentin për eksportin e armëve në Izrael, si dhe për aktivitetet e misionit evropian në Detin e Kuq për të mbrojtur anijet nga sulmet e rebelëve Houthi të Jemenit.

TRT Balkan / agjencitë