Dy palestinezë vdiqën në burgjet izraelite, njëri nga Bregu Perëndimor i pushtuar dhe tjetri nga Rripi i Gazës. Deklarata e përbashkët është bërë nga Shoqata e të Burgosurve Palestinez dhe një delegacion i të burgosurve dhe të liruarve të lidhur me Organizatën për Çlirimin e Palestinës.
Ata deklaruan se 61-vjeçari Semih Aleyvi nga Nablus në Bregun Perëndimor dhe 41-vjeçari Enver Eslim nga Gaza vdiqën në burgjet izraelite.
U theksua gjithashtu se Aleyvi kishte rreth dhjetë vjet në burgun e Remles. Ai ndërroi jetë më 6 nëntor, pasi u dërgua në spital.
Në deklaratë thuhej se Aleyvi i tha avokatit të tij se ishte torturuar, veçanërisht gjatë kohës që u dërgua për mjekim, se kishte humbur 40 kilogramë në burg dhe se nuk mund të hante ushqimin që i ishte dhënë.
Eslimi ishte në burgun Negev në jug të Izraelit që nga 8 dhjetori i vitit të kaluar. Sipas deklaratës së familjes së tij, Eslimi nuk ka pasur probleme serioze shëndetësore para burgosjes.
Ndërsa forcat ushtarake dhe të sigurisë izraelite kanë arrestuar deri më tani më shumë se 11.600 palestinezë si pjesë e fushatës së ndalimit dhe arrestimit të nisur kundër palestinezëve pas 7 tetorit 2023, 43 palestinezë kanë vdekur deri më sot në burgjet izraelite.
Izraeli, i cili ka rritur presionin ndaj palestinezëve në burgje, po përdor gjithnjë e më shumë metoda të torturës dhe keqtrajtimit. Ministri i Sigurisë Kombëtare Itamar Ben-Gvir tha më herët se "të burgosurit palestinezë duhet të qëllohen në kokë".