Në kryeqytetin amerikan, Uashington, mbështetësit e Palestinës protestuan kundër presidentit Joe Biden dhe Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, përpara ndërtesës së Departamentit të Shtetit.
Demonstruesit u mblodhën para ndërtesës së Departamentit Amerikan të Shtetit në Washington dje për të protestuar ndaj politikës së administratës Biden për Gazën.
Demonstruesit protestuan ndaj Bidenit që shoqërohej nga Blinkeni, para fjalimit në të cilin ai komentoi politikën e tij të jashtme gjatë presidencës së tij katërvjeçare, duke brohoritur me sloganet: "Sa fëmijë keni vrarë sot?" dhe "Ne nuk duam që dollarët tanë të taksave të përdoren për t'i masakruar palestinezët".
Gjithashtu, protestuesit mbajtën pankarta me mbishkrimet "Politika e Bidenit është gjenocid", "Flisni, brohorisni, përdorni fuqinë tuaj", "Izraeli po vret" dhe "Ndaloni armatosjen e Izraelit me dollarët e taksave tona".
Kur Bideni dhe Blinkeni arritën në ndërtesën e departamentit me autokolonë për vlerësimin e politikës së tyre të jashtme, protestuesit brohoritën me sloganin "Kriminel lufte".
Policia mori masa sigurie në zonën ku u zhvillua demonstrata.
Në fjalimin e tij të djeshëm, ku presidenti amerikan Biden komentoi politikën e tij të jashtme gjatë presidencës së tij katërvjeçare, ai tha se tani janë shumë afër një përfundimi, pas punimeve të cilat vazhduan prej muajsh lidhur me propozimin e armëpushimit që i njoftoi opinionit publik verën e kaluar në lidhje me Lindjen e Mesme dhe Gazën.
"Më lejoni të them këtë për luftën midis Izraelit dhe Hamasit: Ne jemi shumë afër realizimit përfundimisht të propozimit të armëpushimit që u paraqit muaj më parë", deklaroi Biden.