Përmbytjet kanë goditur disa pjesë të Republikës Çeke, veçanërisht veriun, ku më shumë se 50 mijë familje kanë mbetur pa energji elektrike, ndërsa ekipet e shpëtimit po përpiqen të evakuojnë popullsinë e rrezikuar.
Shërbimi i Zjarrfikësve dhe Shpëtimit i Republikës Çeke publikoi pamjet që tregojnë zona të përmbytura me shtëpi dhe rrugë të dëmtuara, si dhe ekipe që përpiqen të luftojnë përmbytjen dhe të shpëtojnë civilë.
"Ne duhet të përgatitemi për skenarët më të këqij. Një fundjavë e vështirë është përpara nesh", paralajmëroi kryeministri çek Petr Fiala javën e kaluar.
Autoritetet njoftuan se një person ka humbur jetën, ndërsa tetë persona rezultojnë të zhdukur në vend, sipas “The Guardian”.
Rreziqet nga përmbytjet mbeten kritike në lumenjtë si Oder, Opava, Branna dhe Novohradka, veçanërisht në Jeseniky dhe Pardubice, raportoi Radio Prague International.
Megjithëse nivelet e ujit po bien në rrjedhat e sipërme të lumenjve, vala e përmbytjeve vazhdon duke kërcënuar zonat më të ulëta si Uhretice dhe Chroustovice.
"Evakuimet janë duke u zhvilluar në Opava, Krnov, Ostrava, Jeseník, Frydlanck dhe vende të tjera. Më shumë se 12 mijë persona janë evakuuar. Në Frydlantska është shpallur gjendje e jashtëzakonshme", tha kryeministri Petr Fiala në rrjetin social X.
Sipas tij, që nga fillimi i përmbytjeve, zjarrfikësit kanë ndërhyrë në 7.884 situata.
Disa pjesë të Evropës Lindore dhe Qendrore po luftojnë me përmbytjet e rënda që kanë marrë të paktën 15 jetë dhe kanë lënë dhjetëra mijëra të zhvendosur, raportuan mediat të hënën.
Reshjet ekstreme të shiut për shkak të stuhisë Boris kanë prekur Rumaninë, Republikën Çeke, Poloninë, Sllovakinë, Hungarinë, Gjermaninë jugore dhe pjesë të Austrisë.