Presidenti palestinez Mahmoud Abbas zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin e zgjedhur të ShBA-së, Donald Trump, duke shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me të për të arritur paqen.
Agjencia zyrtare palestineze e lajmeve Wafa citoi një deklaratë të zyrës së Abasit në të cilën thuhet se ai foli me Trumpin në telefon, duke ia uruar fitoren në zgjedhje.
Trump mundi zv/presidenten demokrate Kamala Harris në zgjedhjet presidenciale të së martës. Ai do të inaugurohet zyrtarisht më 20 janar.
Abbas i tha Trumpit se ai është i gatshëm të punojë me të "për të arritur një paqe të drejtë dhe gjithëpërfshirëse të bazuar në legjitimitetin ndërkombëtar".
Në njoftim thuhet se Trump i tha Abbasit se ai ishte i përkushtuar për t'i dhënë fund konfliktit të vazhdueshëm në Gaza dhe për të punuar me të dhe palët e tjera të interesuara "për të promovuar paqen në rajon".
Izraeli ka vazhduar një ofensivë shkatërruese në Gaza që nga tetori i vitit të kaluar, pavarësisht një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon një armëpushim të menjëhershëm.
Më shumë se 43.500 njerëz janë vrarë që atëherë, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe mbi 102.700 të tjerë janë plagosur, sipas autoriteteve lokale shëndetësore.
Përpjekjet ndërmjetësuese të udhëhequra nga ShBA-ja, Egjipti dhe Katari për të arritur një marrëveshje armëpushimi në Gaza dhe shkëmbim të të burgosurve midis Izraelit dhe Hamasit kanë dështuar për shkak të refuzimit të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu për ta ndalur luftën.
Izraeli përballet me padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij vdekjeprurëse në Gaza.