Programi Botëror i Ushqimit: Gaza po përballet me urinë.    /Foto: AA

Programi Botëror i Ushqimit i Kombeve të Bashkuara (WFP) ka paralajmëruar se Rripi i Gazës është në rrezik nga uria pas sulmeve të pamëshirshme nga forcat izraelite. "Ka shumë të ngjarë që popullsia e Gazës, veçanërisht gratë dhe fëmijët, të jenë në rrezik të lartë të urisë nëse WFP-ja nuk është në gjendje të sigurojë qasje të vazhdueshëm në ushqim," thuhet në komunikatën e WFP-së.

Ata thonë se WFP-ja dërgoi ushqimin e nevojshëm për më shumë se 120.000 njerëz në Gaza gjatë pauzës humanitare.

"Falë pushimit, ekipet tona kanë qenë në aksion në terren, duke shkuar në zona që nuk kemi arritur për një kohë të gjatë. Ajo që po shohim është katastrofike", tha Corinne Fleischer, drejtoresha rajonale e WFP-së.

Ajo shtoi se gjashtë ditë thjesht nuk mjaftojnë për të ofruar të gjithë ndihmën e nevojshme.

"Njerëzit në Gaza duhet të hanë çdo ditë, jo vetëm për gjashtë ditë", shtoi ajo.

Samer Abdeljaber, Përfaqësues i WFP-së në Palestinë, Samer Adbeljaber, tha se ekipet e programit dëshmuan "uri, dëshpërim dhe shkatërrim" midis njerëzve që nuk kishin marrë asnjë ndihmë për javë të tëra.

Ai shtoi se dërgimi i pandërprerë dhe i sigurt i ndihmave humanitare duhet të vazhdojë i papenguar.

Të hënën vonë, Katari njoftoi një marrëveshje për të zgjatur një pauzë fillestare katërditore humanitare në luftimet midis Izraelit dhe Hamasit me dy ditë të tjera, gjë që do të shohë shkëmbime të mëtejshme të të burgosurve dhe më shumë mundësi për dërgimin e ndihmave.

Izraeli filloi një fushatë masive ushtarake në Rripin e Gazës pas një sulmi ndërkufitar nga Hamasi më 7 tetor.

Prej atëherë, më shumë se 15.000 palestinezë janë vrarë, duke përfshirë 6.150 fëmijë dhe 4.000 gra. Numri zyrtar i të vrarëve në Izrael është 1200.

AA