Mijëra demonstrues propalestinezë dolën të enjten në rrugët e qytetit suedez të Malmos për të protestuar kundër pjesëmarrjes së Izraelit në Eurovision Song Contest, nata e dytë gjysmëfinale e të cilit është planifikuar për sonte.
Protesta u organizua mes tensioneve të shtuara në atë vend skandinav për pjesëmarrjen e Izraelit në Eurovision Song Contest, derisa Tel Avivi vazhdon sulmet e tij në Rripin e Gazës, ku më shumë se 34.900 palestinezë janë vrarë që nga tetori i vitit të kaluar.
Grupet propalestineze organizuan protesta të mëdha në qytetin ku po mbahet Eurovizioni dhe demonstrata të reja janë planifikuar për të shtunën kur të zhvillohet finalja.
Policia suedeze vlerëson se 100.000 demonstrues do të vijnë në qytet në dy ditët e ardhshme, raporton televizioni kombëtar SVT Nyheter.
Transmetuesi suedez SVT Nyheter raportoi se Rrjeti i Palestinës mori iniciativën për të organizuar demonstrata dhe aktivitete të tjera kulturore në qytet gjatë Eurovizionit të dielën.
Një grup tjetër i quajtur Grupi i Palestinës në Malmö është gjithashtu një nga organizatat e shumta që organizuan demonstrata në qytet.
"Ne po planifikojmë dy demonstrata të mëdha paqësore më 9 dhe 11 maj në Malmö. Shpresojmë që shumë njerëz të vijnë nga Danimarka", tha Per-Olof Karlsson, një nga organizatorët.
I pyetur pse mendon se është e rëndësishme të organizohet një protestë e tillë, ai tha se “Izraeli duhet të përjashtohet nga Eurovizioni, ashtu siç u bë me Rusinë”.
Në solidaritet me palestinezët në Gaza dhe si pjesë e protestës, në Malmö më 11 maj do të mbahet një aktivitet muzikor alternativ i quajtur Falastinvision.
Shumë artistë nga Suedia dhe pjesë të tjera të Evropës do të marrin pjesë për të treguar mbështetjen e tyre për palestinezët.
Autoritetet kanë marrë masa shtesë sigurie për të parandaluar çdo incident gjatë demonstratave.
Javën e kaluar, Unioni Evropian i Transmetuesve (EBU) vendosi të ndalojë garuesit, interpretuesit dhe fansat që të shfaqin flamuj palestinezë dhe simbole propalestineze gjatë Festivalit të Këngës në Eurovizion.
Kujtojmë që Rusia është përjashtuar nga Eurovision Song Contest 2022 i mbajtur në Torino, Itali, pasi Finlanda fqinje kërcënoi të tërhiqte interpretuesin e saj nëse Moska nuk ndalohej për shkak të luftës së saj me Ukrainën.