Demonstrues propalestinezë në Berlin protestuan sot kundër planit kontrovers të presidentit amerikan Donald Trump për të “marrë nën kontroll Rripin e Gazës” dhe zhvendosjen me forcë të popullsisë palestineze në vende të tjera, raporton Anadolu.
Të mbledhur në Potsdamer Platz, protestuesit mbanin flamuj palestinezë dhe pankarta që shkruanin: “Jo dëbimit” dhe “Ndaloni agresionin kundër Bregut Perëndimor”, ndërsa brohoritnin slogane kundër Trumpit dhe Izraelit.
Pjesëmarrësi Ibrahim Ibrahim tha për Anadolu se palestinezët e refuzojnë planin dhe u rezistojnë të gjitha përpjekjeve për zhvendosje.
“Që nga 7 tetori 2023, banorët e Gazës kanë refuzuar të ikin në Egjipt. Ata do të luftojnë dhe do të qëndrojnë për të çliruar Palestinën”, tha ai.
Ndërkaq, Abed Darwish kritikoi Trumpin. “Në vend që të mendojë për Gazën, ai duhet të fokusohet në Florida”, tha ai.
Ai shtoi se Gaza nuk është pasuri e paluajtshme dhe njerëzit e saj nuk do ta braktisin kurrë tokën e tyre.
Darwish i kërkoi komunitetit ndërkombëtar të ndërmarrë veprime konkrete në vend që të lëshojë deklarata dënuese.