Presidenti rus Vlladimir Putin tha të enjten se konflikti në Ukrainë nuk ishte "asgjë i ngjashëm" me atë që po ndodh në Rripin e Gazës, i goditur nga sulmet izraelite për më shumë se dy muaj.
"Ne po flisnim vetëm për situatën ... lidhur me krizën ukrainase. Por, ju dhe të gjithë të pranishmit këtu dhe në mbarë botën e shihni. Shikoni 'operacionin ushtarak special' (në Ukrainë) dhe çfarë po ndodh në Gaza dhe ndjeni dallimin. Nuk ka asgjë të tillë në Ukrainë", tha Putin për Anadolu gjatë një konference vjetore televizive për media në Moskë.
Putin tha se ngjarjet në Rripin e Gazës, ku Izraeli ka vrarë më shumë se 18.000 palestinezë, përbëjnë një "katastrofë", duke vënë në dukje komentet e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres, i cili tha se enklava ishte bërë "varreza më e madhe për fëmijët në botë".
“Ky është një vlerësim objektiv, çfarë të them këtu”, shtoi ai.
Putin tha se homologu i tij turk, presidenti Recep Tayyip Erdoğan po luan një rol udhëheqës në zgjidhjen e situatës në enklavën e rrethuar.
“Ai është, natyrisht, një nga liderët e bashkësisë ndërkombëtare që i kushton vëmendje kësaj tragjedie dhe bën gjithçka për të siguruar që situata të ndryshojë për mirë në mënyrë që të krijohen kushte për paqe afatgjatë”, tha ai.
Türkiye dhe Rusia "nisen nga fakti se vendimet e OKB-së në lidhje me krijimin e një shteti palestinez me kryeqytet Jerusalemin Lindor duhet ende të zbatohen," tha ai, duke shtuar se është e nevojshme të krijohen themelet bazë për një zgjidhje të konfliktit Izrael-Palestinë.
Putin tha se ka në plan të takohet me Erdoğanin në fillim të vitit të ardhshëm, duke bërë të ditur se planet e mëparshme nuk funksionuan për shkak të orarit të homologut të tij turk.
"Ne jemi tashmë në kontakt të vazhdueshëm me presidentin Erdoğan për këto çështje. Kemi qëndrime shumë të ngjashme. Mendoj se do të mund të takohemi me të," tha ai.