Qeveria izraelite votoi sot unanimisht për mbylljen e zyrës së televizionit Al-Jazeera në pronësi të Katarit.
Në një deklaratë, kryeministri Benjamin Netanyahu tha se qeveria e tij ka vendosur të mbyllë operacionet e Al-Jazeera në Izrael.
Muajin e kaluar, Knesseti (parlamenti) i Izraelit miratoi legjislacionin që lejon mbylljen e televizionit Al-Jazeera.
Sipas legjislacionit, ministri i Komunikimeve është i autorizuar të mbyllë rrjetet e huaja që operojnë në Izrael dhe të konfiskojë pajisjet e tyre nëse ministri i Mbrojtjes identifikon se transmetimi i tyre përbën “dëm për sigurinë e shtetit”.
“Urdhrat tona do të hyjnë në fuqi menjëherë”, tha ministri i Komunikimeve Shlomo Karhi pas nënshkrimit të urdhrit për mbylljen e kanalit.
“Ka kaluar shumë kohë dhe ka pasur shumë pengesa të panevojshme ligjore për të ndalur përfundimisht makinën nxitëse të vajosur mirë të Al-Jazeeras, e cila dëmton sigurinë e shtetit”, tha ai.
Al-Jazeera ka një zyrë në Izrael dhe një ekip korrespondentësh që punojnë gjatë gjithë vitit, duke përfshirë mbulimin e luftës së vazhdueshme të Izraelit në Rripin e Gazës, e cila ka vrarë mbi 34.600 njerëz që nga 7 tetori 2023.