Republika e Afrikës e Jugut ka thënë se i ka kërkuar Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të shqyrtojë nëse plani i Izraelit për të shtrirë ofensivën e tij në Gaza në qytetin Rafah kërkon masa shtesë emergjente për të mbrojtur të drejtat e palestinezëve.
Duke e arsyetuar kërkesën e dorëzuar në gjykatë më 12 shkurt, qeveria e Afrikës së Jugut tha të martën se ishte shumë e shqetësuar se ofensiva e paprecedentë ushtarake kundër Rafahut, siç u njoftua nga autoritet e Izraelit, ka çuar tashmë dhe do të rezultojë në vrasje, dëmtime dhe shkatërrime të mëtejshme në masë më të gjerë”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga presidenca e Afrikës së Jugut.
"Kjo do të ishte shkelje serioze dhe e pariparueshme si e Konventës së Gjenocidit ashtu edhe e Urdhrit të Gjykatës së 26 janarit", theksohet në komunikatë.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GjND) muajin e kaluar urdhëroi Izraelin të marrë të gjitha masat brenda fuqisë së tij për të parandaluar trupat e saj nga kryerja e gjenocidit kundër palestinezëve në Gaza, në një rast të inicuar nga Afrika e Jugut.
Izraeli ka mohuar të gjitha akuzat për gjenocid në lidhje me luftën e tij në Gaza dhe i ka kërkuar gjykatës ta refuzojë rastin plotësisht, duke thënë se respekton ligjin ndërkombëtar dhe ka të drejtë të mbrohet.
"Ofensivë e paprecedentë ushtarake"
Izraeli ka thënë se po planifikon të zgjerojë sulmin e tij tokësor në Rafah, ku mbi 1 milion palestinezë kanë kërkuar strehim nga ofensiva që ka shkatërruar pjesën më të madhe të Gazës.
GjND-ja me bazë në Hagë nuk pranoi të komentojë nëse e kishte marrë kërkesën.
Në rastet e kaluara, GjND-ja ka dhënë ndonjëherë masa emergjente shtesë kur rrethanat në terren kanë ndryshuar.
Gjykata nuk ka vendosur ende për thelbin e çështjes së ngritur nga Afrika e Jugut - nëse ka ndodhur gjenocid në Gaza. Por, ajo njohu të drejtën e palestinezëve në Gaza për t'u mbrojtur nga aktet e gjenocidit.