Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama deklaroi sot se Shqipëria është bërë pikë referimi në politikën e jashtme, ndërsa do të mikpresë vitin e ardhshëm Samitin e Komunitetit Politik Europian dhe Samitin e NATO-s në vitin 2027.
Në hapje të punimeve të Konferencës Vjetore të Ambasadorëve të Shqipërisë, Rama vlerësoi se prej kohësh Shqipëria nuk është statike në pozicionimin dhe në qasje ndaj marrëdhënieve ndërkombëtare.
“Si rezultat i qëndrimit dhe veprimit të vazhdueshëm dinamik është edhe fakti deri para disa vitesh i paimagjinueshëm i marrjes nga Shqipëria të një sërë përgjegjësisë shumë të rëndësishme në arenën ndërkombëtare, duke nisur nga kryesimi i Procesit të Berlinit ku arritëm disa rezultate domethënëse në funksion të Planit të ri të Rritjes”, tha Rama.
Kryeministri solli në vëmendje edhe Samitin BE-Ballkani Perëndimor që për herë të parë u mbajt jashtë hapësirës së BE-së, në Tiranë.
“Po ashtu kemi hapjen e Kolegit të Europës në Tiranë, i cili tanimë është një realitet i prekshëm dhe viti i parë akademik i Kolegjit është në fillimin e tij, pasi është bërë edhe seleksionimi i studentëve nga të gjitha vendet e Europës. Kishte një kërkesë shumë më të lartë se sa parashikimi”, shtoi Rama.
Kryeministri veçoi edhe rolin e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
“Këtu e kam të rëndësishme të sjell një shembull për të treguar se sa i rëndësishëm është roli proaktiv i ambasadorëve. Shembullin e ambasadorit tonë në Kombet e Bashkuara, i cili tanimë shërben si ambasador në Bruksel, për të lehtësuar të gjtihë ndërveprimin e jashtëzakonshëm që kemi me Brukselin. Falë edhe lidershipit të të cilit Shqipëria ushqeu shumë respekt, krijoi shumë besim dhe padiskutim mori një prestigj që nuk e kishte pasur më parë”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se pikërisht ky respekt, besim e prestigj na bën sot që të jemi vendi që do të mikëpresë liderët e 44 shteteve europiane, nga Britania e Madhe deri në Ukrainë, apo nga Suedia e Norvegjia deri në Türkiye vitin e ardhshëm, në samitin e Komunitetit Politik Europian.
“Ky respekt, besim, prestigj dhe roli i një tjetër ambasadori që e sjell këtu si një shembull jo për ta veçuar nga të tjerët, por për të nënvizuar se sa e rëndësishme është për ne që të përfaqësohemi me volumin maksimal të ambicies, por edhe të aftësisë për të qenë të respektueshëm, gjë që na jep mundësinë të jemi mikpritës të samitit të NATO-s në vitin 2027”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se “as nuk mund të imagjinohej disa vite më parë që Shqipëria të bëhej pikë referimi dhe t’i besoheshin të tilla role”.
“Aq shumë ka ndryshuar në këtët aspekt raporti i botës me ne saqë po bëhet natyrshëm edhe jo e lehtë për t’i numëruar të gjitha. Sepse mund pa dashje të harrohen. Se ndërkohë kemi pasur edhe kryesimin e OSBE-së, ku falë një tjetër ambasadori që sot është ministër i Jashtëm, dhe jo rastësisht është kërkuar nga një pjesë e madhe e vendeve të OSBE-së për të kandiduar për rolin e Sekretarit të Përgjithshëm të OSBE-së, ne kemi pasur një tjetër mundësi të shfrytëzuar në mënyrën më të mirë, ku përsëri kemi ushqyer besim dhe kemi rritur prestigjin e vendit tonë”, tha Rama.