Raport: Izraeli mbledh mjaftueshëm trupa për nisjen e inkursionit në Rafah.    /Foto: AA

ShBA-ja ka vlerësuar se Izraeli ka grumbulluar mjaft trupa në skajin e qytetit jugor të Gazës, Rafah, për një ofensivë ushtarake në shkallë të gjerë në ditët në vijim, raportoi CNN të hënën.

Dy zyrtarë të lartë të administratës i thanë CNN-it se nuk janë të sigurt nëse Izraeli ka marrë një vendim përfundimtar për të kryer një veprim të tillë në kundërshtim të drejtpërdrejtë të Presidentit Joe Biden.

Sipas CNN-it, një nga zyrtarët paralajmëroi se Izraeli nuk i është afruar fare përgatitjeve të duhura, duke përfshirë ndërtimin e infrastrukturës në lidhje me ushqimin, higjienën dhe strehimin përpara evakuimit potencial të më shumë se një milion palestinezëve në Rafah.

Shtëpia e Bardhë ka shprehur shqetësimin për një pushtim të Rafahut, ku më shumë se 1 milion civilë nga pjesë të tjera të Gazës janë strehuar që nga sulmi i tetorit të kaluar nga grupi palestinez Hamas ndaj Izraelit.

Kohët e fundit, Biden tha në një intervistë me CNN se ai nuk do të furnizonte armë sulmuese që Izraeli mund të përdorë për të nisur një sulm të gjithanshëm në Rafah.

Duke reaguar ndaj kërcënimit të Biden për të mbajtur armët, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se Izraeli do të "qëndronte i vetëm" nëse do të duhej.

"Nëse Izraeli duhet të qëndrojë i vetëm, ne do të qëndrojmë vetëm", tha Netanyahu në një deklaratë, duke shtuar: "Nëse duhet, ne do të luftojmë me thonjtë tanë. Por ne kemi shumë më tepër se thonjtë".

Gati 35.100 palestinezë janë vrarë dhe mbi 78.800 të tjerë janë plagosur në një sulm brutal izraelit në Rripin e Gazës që nga një sulm ndërkufitar i 7 tetorit nga Hamasi që vrau afro 1,200 njerëz.

Grupi kërkon fundin e ofensivës së vazhdueshme ushtarake të Izraelit në Rripin e Gazës në këmbim të çdo shkëmbimi pengjesh me Tel Avivin.

Më shumë se shtatë muaj pas luftës izraelite, zona të gjera të Gazës janë nën rrënoja mes një bllokade gjymtuese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.

TRT Balkan / agjencitë