Raportuesja e posaçme e Kombeve të Bashkuara (OKB) për Palestinën, Francesca Albanese, duke nënvizuar se ato që Izraeli po i bën në Gaza nuk janë aq ndryshe nga masakrat civile në rajonet e tjera të botës, theksoi se edhe gjenocidi në Gaza, ashtu si në Srebrenicë dhe Ruandë, po bëhet me lejen e botës.
Ajo këtë mesazh e ndau në rrjetin social X, duke iu referuar një postimi ku zyra e Komisarit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut e akuzon Izraelin për ekzekutimin e 11 palestinezëve të paarmatosur para familjeve të tyre në lagjen al-Rimal të Gazës.
"Nëse i shikoni prej afër (ndodhitë në Gaza) mund të shihni se nuk janë aq të ndryshme nga masakrat e tjera civile. Gjenocidi nuk është vetëm një akt, është proces dhe patjetër duhet të parandalohet, por edhe gjenocidi në Gaza, ashtu si në Srebrenicë dhe Ruandë, po bëhet me lejen e botës", shkroi ajo.
Albanese gjithashtu iu referua edhe mesazhit ku theksohet se gjenocidi në Gaza po bëhet nga mercenarë që vijnë nga Franca, SHBA-ja, Britania, Ukraina, Italia, Gjermania, Afrika e Jugut dhe India, por se askush nuk u thotë atyre luftëtarë të huaj terroristë, duke kërkuar që të bëhet presion mbi sistemet gjyqësore kombëtare për të hetuar dhe ndjekur penalisht në vendet e tyre të shtetësisë ata që kryejnë krime lufte jashtë vendit, duke përfshirë në territoret e pushtuara palestineze.