Raportuesja e posaçme e OKB-së për Palestinën tha të martën se ajo që po ndodh në Rripin e Gazës nuk është “luftë”, por “gjenocid”.
"Ka shumë mënyra se si Izraeli po shkatërron palestinezët në Gaza. Krijimi i kushteve të paqëndrueshme dhe çnjerëzore të jetës është më kompleksi dhe mizori," tha Francesca Albanese në X.
"Mos e quani "luftë". Është gjenocid. Motivet janë të parëndësishme", tha Albanese. "Qëllimi (dmth vendosmëria) për të shkatërruar është evident dhe i qartë."
Ajo shtoi: “Aq e qartë është edhe bashkëfajësia e shteteve të tjera”.
Vërejtjet e saj erdhën pasi Philippe Lazzarini, kreu i agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë, tha të hënën se ndihma humanitare ditore është "më e ulëta në një kohë të gjatë", pasi mesatarisht vetëm 30 kamionë hyjnë çdo ditë në tetor.
Lazzarini theksoi se kjo nuk mund të plotësonte nevojat e 2 milion njerëzve "të uritur dhe të sëmurë" dhe përfaqëson vetëm 6% të furnizimeve të lejuara në Gaza para tetorit 2023.
Izraeli ka vazhduar një ofensivë shkatërruese në Gaza që nga sulmet e 7 tetorit 2023 nga Hamasi, duke vrarë afro 43.400 njerëz dhe duke e bërë enklavën pothuajse të pabanueshme.
Izraeli përballet me një padi gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për veprimet e tij në enklavën e bllokuar.