Raportuesja e OKB-së: Plani i Trumpit për Gazën, “krim ndërkombëtar”                                 Foto: AA

Propozimi i presidentit amerikan Donald Trump për të zhvendosur palestinezët nga Gaza në vende të tjera dhe për të vendosur enklavën palestineze nën kontrollin e ShBA-së është “i paligjshëm, i pamoralshëm dhe plotësisht i papërgjegjshëm”, tha sot raportuesja speciale e OKB-së për territorin e pushtuar palestinez, Francesca Albanese.

Duke folur në një konferencë shtypi në Kopenhagë, kryeqytetin e Danimarkës, Albanese dënoi propozimin dhe paralajmëroi se ai do të përkeqësonte krizën rajonale.

“Është e paligjshëm, i pamoralshëm dhe krejtësisht i papërgjegjshëm… ajo që ai propozon është e pakuptimtë”, tha Albanese.

“Është nxitje për të kryer zhvendosje të detyruar, që është një krim ndërkombëtar”, shtoi ajo.

Albanese i kërkoi komunitetit ndërkombëtar të mbajë një qëndrim më të fortë, duke thënë: “Komuniteti ndërkombëtar përbëhet nga 193 shtete dhe është koha për t’i dhënë ShBA-së atë që ka kërkuar – izolimin”, tha ajo.

Albanese hodhi poshtë nocionin se stimujt ekonomikë mund të zgjidhin konfliktin e gjatë në Lindjen e Mesme.

“Për një kohë të gjatë, komuniteti ndërkombëtar e ka trajtuar çështjen e Palestinës si diçka që mund të menaxhohet përmes zhvillimit, stimujve ekonomikë dhe ndihmës humanitare. Sinqerisht, nuk funksionon”, tha ajo.

Ndërsa pranoi rëndësinë e rritjes ekonomike, ajo këmbënguli se kjo nuk mund të bëhet në kurriz të të drejtave themelore. “Paqja përmes zhvillimit ekonomik është një pritje e dorëzimit dhe nuk do të funksionojë”, tha Albanese.

“E vetmja mënyrë për të ndaluar dhunën është t'i japim paqes një shans nëpërmjet lirisë”, theksoi Albanese.

Presidenti Donald Trump, të martën mbrëma, në një konferencë për shtyp me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, tha se “ShBA-ja do të marrë kontrollin e Rripit të Gazës”, menjëherë pasi sugjeroi një zhvendosje të përhershme të palestinezëve jashtë Gazës.

“Ne do ta zotërojmë atë dhe do të jemi përgjegjës për çmontimin e të gjitha bombave të rrezikshme të pashpërthyera dhe armëve të tjera në këtë vend. Do ta rrafshojmë vendin, do t’i heqim qafe ndërtesat e shkatërruara dhe do të krijojmë një zhvillim ekonomik që do të sigurojë një numër të pakufizuar vendesh pune dhe banesash për njerëzit e zonës”, tha Trump.

Türkiye, Jordania dhe Egjipti, si dhe vende të tjera rajonale dhe evropiane, duke përfshirë Britaninë, Francën dhe Gjermaninë, kanë refuzuar propozimin e Trumpit për zhvendosjen e palestinezëve.

TRT Balkan / agjencitë