Regjimi i Asadit përdori malin Qasioun si një objekt për të prodhuar bomba

Regjimi i Asadit përdori malin Qasioun si një objekt për të prodhuar bomba

Bomba fuçi ishin ndër bombat e përdorura më së shumti nga forcat e regjimit në luftën civile.
Regjimi i Asadit përdori malin Qasioun si një objekt për të prodhuar bomba / Photo: AA

Regjimi i Bashar Asadit e ktheu malin Qasioun, i cili ishte i ndaluar për popullatën në kryeqytetin Damask, në një objekt prodhimi të bombave fuçi që shkaktuan masakra të mëdha gjatë gjithë luftës civile në Siri.

Bomba fuçi dihet se ka kosto të ulët dhe një efekt të madh shkatërrues, ndërsa ishte ndër bombat e përdorura më së shumti nga forcat e regjimit në luftën civile.

E bërë duke mbushur një fuçi me materiale të tilla si sasi të mëdha eksplozivi, metale skrapi, gozhdë dhe vida, bomba fuçi ka shkaktuar vdekjen e mijëra civilëve në luftën civile.

Mënyra se si hidhet një bombë fuçi, e cila shkakton shkatërrim në një sipërfaqe prej 50-200 metrash në varësi të sasisë së eksplozivit të mbushur, në terminologjinë ushtarake përkufizohet si "rënie e lirë".

Anadolu filmoi objektin e prodhimit të bombave fuçi, i cili ndodhet në rrëzë të malit Qasioun, pranë kryeqytetit Damask.

Në hyrje të objektit ka një fotografi të liderit të rrëzuar Bashar Asad.

Brenda objektit shihen shumë fuçi, eksplozivë, detonatorë dhe metale të ndryshme.

Sipas raportit të Rrjetit Sirian për të Drejtat e Njeriut (SNHR) që përfshin periudhën korrik 2012-prill 2021 dhe i cili dokumenton shkeljet e të drejtave të njeriut kundër civilëve në Siri, forcat e regjimit përdorën bomba fuçi 81.916 herë në sulmet e tyre ndaj vendbanimeve civile.

Në këto sulme humbën jetën 11.087 civilë, mes të cilëve 1.821 fëmijë dhe 1.780 gra.

Provincat më të shënjestruara nga bombat fuçi renditen Damasku, Halepi, Dara dhe Idlibi, ndërsa është ndarë informacioni se viktimat më të shumta janë shënuar në Halep.

TRT Balkan / agjencitë