Rezoluta e OKB-së kërkon fundin e pushtimit izraelit brenda 12 muajve          / Foto: AA

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara (KB) të mërkurën me shumicë të madhe mbështeti Rezolutën e cila bën thirrje për përfundimin e "okupimit të paligjshëm" izraelit të territorit palestinez brenda 12 muajve.

Rezoluta, e propozuar nga Palestina, u miratua me një konsensus të madh me 124 vende anëtare që votuan pro, 14 ishin kundër dhe 43 abstenuan.

Ndër vendet e rajonit, Bosnjë e Hercegovina, Sllovenia dhe Mali i Zi e mbështetën rezolutën, ndërsa Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Kroacia dhe Serbia abstenuan

Sipas rezolutës, e bashkësponsorizuar nga Türkiye së bashku me më shumë se 50 shtete anëtare të OKB-së, okupimi izraelit i territoreve palestineze është i paligjshëm sipas së drejtës ndërkombëtare, përfshirë vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Duke theksuar se vendbanimet e paligjshme izraelite shkelin të drejtën ndërkombëtare, në rezolutë nënvizohet se populli palestinez ka të drejtë për vetëvendosje sipas Kartës së OKB-së.

Sërish u konfirmua se çështja e Palestinës është "përgjegjësi e përhershme e Kombeve të Bashkuara" derisa të zgjidhet në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, ndërsa theksohet nevoja urgjente që Izraeli të përfundojë okupimin e filluar më 1967.

Rezoluta gjithashtu bën thirrje që Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, të paraqesë një raport mbi zbatimin e rezolutës brenda tre muajve nga miratimi i saj.

Përfaqësia e përhershme e Palestinës paraqiti në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, pasi ky shtet fitoi të drejta shtesë në këtë organ ndërkombëtar në maj, një projektrezolutë historike që kërkon përfundimin e okupimit izraelit të territoreve palestineze brenda 12 muajve.

TRT Balkan / agjencitë