Rifillojnë bisedimet për armëpushim në Gaza, sulmet në Rafah nuk ndalen.     /Foto: Reuters

Bisedimet për armëpushimin e Gazës rifilluan në Kajro me pjesëmarrjen e të gjitha palëve për të gjetur “formulën e konsensusit” mbi pikat konfliktuale, sipas televizionit egjiptian të lajmeve El-Kahira.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Egjipti dhe Katari ndërkohë po shtojnë përpjekjet për të mbyllur boshllëqet në një marrëveshje të mundshme për të paktën një armëpushim të përkohshëm dhe lirimin e disa prej shumë pengjeve izraelitë të mbajtur ende nga Hamasi.

Izraeli e ka lidhur operacionin e kërcënuar të Rafahut me fatin e këtyre negociatave.

Shefi i CIA-s, Uilliam Burns, i cili ka udhëtuar nëpër rajon për bisedime mbi marrëveshjen e armëpushimit, u takua të mërkurën me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, tha një zyrtar amerikan, duke folur në kushte anonimiteti për të diskutuar negociatat me dyer të mbyllura.

Me kapjen e Rafahut, Izraeli tani kontrollon të gjitha kalimet e Gazës për herë të parë që kur tërhoqi trupat dhe kolonët nga territori gati dy dekada më parë, megjithëse ka mbajtur një bllokadë me bashkëpunimin e Egjiptit për shumicën e asaj kohe.

Kalimi i Rafahut ka qenë një kanal jetik për ndihmën humanitare që nga fillimi i luftës dhe është i vetmi vend ku njerëzit mund të hyjnë dhe të dalin.

TRT Balkan / agjencitë