Ritualet që e përcaktojnë epitetin e haxhinjve.     /Foto: AA

Haxhi është një nga pesë shtyllat e Islamit dhe një detyrë që duhet të kryhet një herë në jetë për të gjithë myslimanët e aftë nëse kanë mundësi. Ai ka për qëllim të pastrojë ndjekësit nga mëkati dhe t'i afrojë ata me Perëndinë.

Ndryshe, Haxhi është tubimi më i madh vjetor fetar i myslimanëve. Ky tubim zhvillohet në muajin islamik Dhul-Hixhe në dhe rreth qytetit të shenjtë të Mekës në Arabinë Saudite.

Haxhi këtë vit do të fillojë më 26 qershor, pas shikimit të hënës në Arabinë Saudite, ndërsa Kurban Bajrami do të festohet tri ditë më vonë, më 28 qershor.

Në vazhdim TRT Balkan ju njofton lidhur me ritualet e domosdoshme në mënyrë që njerëzit të cilët kanë shkuar në vendin e shenjtë ta marrin epitetin haxhinjë.

Tavafi

Në ditën e parë të Haxhit, pelegrinët (haxhinjtë) kryejnë tavafin, që i referohet shëtitjes rreth Qabesë shtatë herë, me qëllim që ta afrojë haxhin shpirtërisht me Zotin.

Po ashtu, një ndër kushtet e haxhit në ditën e parë është ecja ose vrapimi shtatë herë midis dy kodrave të Safa dhe Marva për të përkujtuar veprimet e Haxherit, gruas së Profetit Ibrahim, e cila eci shtatë herë midis kodrave të Safa dhe Marva në kërkim të ujit për djalin e saj Ismailin.

Prej këtu, haxhinjtë transportohen në qytetin e tendave në Mina, afërsisht 8 kilometra nga Meka, ku kalojnë natën në lutje.

Arafati dhe fushat e Muzdelifes

Ditën e dytë, haxhilerët nisen drejt malit Arafat, ku luten që t'u falen mëkatet. Më pas ata dërgohen në fushat e Muzdalifes, duke kaluar një natë tjetër në ajër të hapur për adhurim.

Gurëzimi i djallit

Ditën e tretë, pelegrinët kthehen në Mina për gurëzimin e Xhemaratit - tri strukturat prej guri që përfaqësojnë djallin. Kjo pasohet nga sakrifikimi i një kafshe, apo e njohur therja e Kurbanit.

Kjo ditë në mbarë botën njihet si dita e parë e Kurban Bajramit.

Pas kurbanit, haxhilerët vazhdojnë të rruhen ose të shkurtojnë flokët dhe të zhveshen nga ihrami.

Përcjellja e haxhilerëve

Pas festës së Kurban Bajramit, ata që kanë kryer një haxh të pranueshëm gëzojnë dhe falënderojnë Zotin. Pas kësaj një valë e madhe pelegrinësh edhe një herë kryejnë tevafin përreth Shtëpisë së Zotit dhe falënderojnë për kryerjen e ceremonisë së haxhit.

Në atë kohë, Qabeja si një magnet që tërheq pas vetes çdo grimcë hap krahët e saj dhe i përmbledh të gjithë haxhinjtë, që zakonisht si traditë e pashkruar vazhdojnë vizitën në qytetin e Medines, ku edhe gjendet xhamia e profetit Muhamed.

TRT Balkan