Kryeministri slloven Robert Golob i bëri thirrje Izraelit të ndalojë operacionet e tij ushtarake dhe t’i japë fund pushtimit të territoreve palestineze.
Gjatë fjalimit të tij në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, Golob dënoi dhunën e vazhdueshme në një mesazh të drejtpërdrejtë drejtuar kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, duke kërkuar një fund të menjëhershëm të “gjakderdhjes dhe vuajtjeve”.
“Dua t’ia them këtë me zë të lartë dhe të qartë qeverisë izraelite: Ndaloni gjakderdhjen, ndaloni vuajtjet, sillni pengjet në shtëpi dhe përfundoni pushtimin”, tha Golob. “Zoti Netanyahu, ndalo këtë luftë tani”, shtoi ai.
Duke folur përpara një fjalimi pasues nga Netanyahu, Golob shprehu shqetësim të thellë për numrin e viktimave të dhunës, me sulmet izraelite që kanë shkaktuar mbi 41.500 vdekje në Rripin e Gazës dhe 700 në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Ai theksoi se konflikti ka marrë jetën e shumë të pafajshmëve, veçanërisht fëmijëve, si dhe bëri thirrje për hapa urgjent drejt paqes.
Golob ndau gjithashtu historitë prekëse të dy vajzave palestineze, Sarah dhe Rand, të cilat i kishte takuar në fillim të javës në një ngjarje të organizuar nga “Save the Children”.
Në këtë aktivitet, dy vajzat kishin folur për përvojat e tyre të rritjes mes shkatërrimit dhe frikës nga konflikti.
“Pavarësisht gjithë shkatërrimit, çnjerëzimit dhe frikës, nuk kishte zemërim apo urrejtje në tregimet e tyre”, tha Golob, duke rrëfyer historitë e dy vajzave. “Ato kishin vetëm këtë dëshirë të madhe për të jetuar një jetë normale dhe të denjë”, shtoi kryeministri slloven.
Njëra nga vajzat, Sarah, ëndërron të bëhet mjeke, ndërsa Rand aspiron të jetë punëtore humanitare, tha ai.
Golob shprehu admirimin e tij të thellë për qëndrueshmërinë dhe vendosmërinë e tyre përballë fatkeqësive dërrmuese.
“Sot, unë e përmbush premtimin tim ndaj tyre dhe e sjell historinë e tyre në Asamblenë e Përgjithshme. Vetëm me thirrjen tonë të bashkuar për paqe dhe kundër luftës mund të sigurojmë që Sara, Rand dhe të gjithë fëmijët e tjerë të Palestinës dhe botës të mos jenë mes mijëra të ardhmeve të humbura të fëmijëve nën okupim”, tha Golob.