Rreth 250.000 sirianë u kthyen në shtëpitë e tyre javën e kaluar. / Foto: AA

Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) ka njoftuar se rreth 250.000 sirianë janë kthyer në shtëpitë e tyre javën e kaluar pas rrëzimit të regjimit të Bashar al-Asadit në Siri.

Ndër ta, 100.000 janë sirianë që janë kthyer nga vende të tjera.

Sipas IOM-it, Siria ka përjetuar shkatërrime të mëdha dhe zhvendosje masive që nga fillimi i luftës civile në vitin 2011. Më shumë se gjashtë milionë sirianë kanë lënë vendin e tyre, ndërsa 5,5 milionë janë zhvendosur brenda vendit.

“Rreth 17 milionë njerëz në Siri ende kanë nevojë për ndihmë, ndërsa 90 për qind e popullsisë jeton nën kufirin e varfërisë. Mijëra refugjatë sirianë që kanë ikur nga lufta tani po kthehen në shtëpitë e tyre, ndërsa të tjerë po vlerësojnë nëse kushtet lokale mund të ofrojnë një kthim të sigurt. Javën e kaluar, rreth 250.000 njerëz janë kthyer në shtëpitë e tyre, përfshirë 100.000 sirianë që jetonin jashtë vendit,” ka njoftuar IOM-i.

Organizata thekson se sirianët kanë qenë dëshmitarë të një niveli të jashtëzakonshëm dhune dhe shkatërrimi gjatë luftës, ndërsa shumica e qyteteve janë kthyer në rrënoja.

Drejtoresha e Përgjithshme e IOM-it, Amy Pope, ka theksuar angazhimin e organizatës për të ofruar mbështetje jetike për nevojat e mëdha humanitare të Sirisë dhe për të promovuar rimëkëmbjen dhe stabilizimin e popullsisë.

“Kjo është një moment i madh shprese dhe një mundësi historike për popullin sirian, i cili ka vuajtur kaq shumë dhimbje dhe trazira për më shumë se 14 vjet konflikt shkatërrues. Edhe pse sfidat janë të mëdha, komuniteti ndërkombëtar duhet t'i mbështesë sirianët për të rindërtuar jetën e tyre dhe për t’u ofruar atyre një të ardhme më të mirë,” ka thënë Pope.

Ajo ka bërë të ditur se ka informuar vendet donatore, partnerët dhe misionet diplomatike për vendosjen e ekipeve të IOM-it në Damask dhe ka bërë thirrje për mobilizimin e burimeve për kthimin e refugjatëve.

“Kthimi i organizuar dhe vullnetar mund të mbështetet kur të krijohen kushtet e duhura,” ka shtuar Pope.

Drejtoresha e UNHCR-it për Lindjen e Mesme, Rema Jamous Imseis, ka deklaruar se pritet që deri në qershor 2025 një milion sirianë të kthehen në shtëpitë e tyre.

TRT Balkan / agjencitë