Rripi i Gazës: Të paktën 15 të vdekur në sulmin izraelit në Nuseirat     / Foto: AA

Të paktën 15 palestinezë u vranë në një sulm ajror izraelit në kampin e refugjatëve Nuseirat në Rripin qendror të Gazës.

Sipas dëshmitarëve okularë, avionët luftarakë izraelitë shënjestruan një ndërtesë që i përkiste komunës Nuseirat, në kampin e refugjatëve me të njëjtin emër.

Të paktën 15 persona, përfshirë kreun e komunës Nuseirat, Iyad al-Maghari, u vranë në sulm.

Të paktën 36.731 palestinezë janë vrarë në ofensivën e Izraelit në Rripin e Gazës që nga tetori i kaluar, tha të premten Ministria e Shëndetësisë në enklavën e rrethuar. Deklarata e ministrisë shtoi se 83.530 njerëz u plagosën në sulmet.

Izraeli vazhdon ofensivën e tij brutale në Rripin e Gazës pavarësisht një rezolute të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që kërkon një armëpushim të menjëhershëm.

Tetë muaj pas fillimit të luftës së Izraelit, pjesë të mëdha të Gazës janë kthyer në gërmadha, ndërsa bllokada e ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve vazhdon.

Izraeli është akuzuar për gjenocid përpara Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në vendimin e saj të fundit urdhëroi Tel Avivin të pezullojë menjëherë operacionin në Rafah, ku më shumë se një milion palestinezë kanë kërkuar strehim nga lufta.

TRT Balkan / agjencitë