Rutte: NATO-ja monitoron nga afër zhvillimet në Korenë e Jugut / Foto: Reuters

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar se aleanca monitoron nga afër zhvillimet në Korenë e Jugut, ku presidenti Yoon Suk Yeol dështoi në përpjekjen e tij për ta imponuar ligjin ushtarak dhe tani po përballet me shkarkimin nga detyra.

"Republika e Koresë është një partner i rëndësishëm për NATO-n dhe për këtë arsye ne po monitorojmë nga afër zhvillimet e asaj që po ndodh tani në Seul dhe më gjerë në Korenë e Jugut", tha Rutte për mediat pas takimit të ministrave të jashtëm të NATO-s në Bruksel.

Njoftimi për dhënien fund të ligjit ushtarak, sipas shefit të NATO-s tregon përkushtimin e vazhdueshëm të Koresë së Jugut për sundimin e ligjit.

"Koreja e Jugut është një mbështetëse e fortë e Ukrainës dhe unë pres që kështu të mbetet dhe partneriteti ynë me Seulin është thelluar derisa kërcënimet globale janë rritur gjatë dy viteve të fundit dhe ne lavdërojmë Republikën e Koresë për mbështetjen e saj të rëndësishme politike dhe praktike ndaj Ukrainës", tha Rutte, duke iu përgjigjur pyetjes nëse zhvillimet e fundit në Seul do të ndikojnë në marrëdhëniet e saj me NATO-n.

Ai theksoi se marrëdhënia mes NATO-s dhe Koresë së Jugut është e "hekurt".

Mbrëmë vonë, presidenti Yoon shpalli ligjin ushtarak në vend pasi akuzoi partinë kryesore opozitare për simpati ndaj Koresë së Veriut dhe për aktivitete antishtetërore. Megjithatë, masa u rrëzua shpejt nga parlamenti.

Mbrëmë, Yoon vendosi sundimin ushtarak në orën 22:25 me kohën lokale, por njoftoi heqjen e tij në orën 04:27 të mëngjesit të sotëm. Rreth 190 ligjvënës në parlamentin prej 300 vendesh votuan kundër masës së presidentit, duke e bërë të detyrueshme që ai të përmbushë mocionin e tyre.

Një mbledhje e kabinetit të kryesuar nga kryeministri Han Duck-soo miratoi rezolutën pasi presidenti Yoon u tërhoq nga vendimi i tij për të vendosur ligjin ushtarak.

AA