Senatori i pavarur amerikan, Bernie Sanders, tha se fokusi duhet të jetë mbi sulmet e Izraelit që vazhdojnë në Gaza dhe jo në protestat në mbështetje të Palestinës që mbahen në universitetet në ShBA.
Sanders dha deklarata për mediat pasi protestat në mbështetje të Palestinës në Universitetin Columbia në qytetin New York të SHBA-së u përhapën edhe në universitete të tjera.
Duke reaguar për shtypjen e protestave të mbajtura në universitetet në ShBA, Sanders tha: "Është koha që të mos fokusohemi për dhunën që shohim në universitetet në ShBA, por në dhunën e pashembullt në Gaza ku kanë vdekur (rreth) 34 mijë palestinezë dhe janë plagosur mbi 77 mijë të tjerë".
Ai u rekomandoi anëtarëve të mediave që të heqin kamerat e tyre nga universitetet dhe të shkojnë në Gaza të tregojnë fëmijët që kanë mbetur 'kockë e lëkurë' ose që humbin jetën për shkak të kequshqyerjes si pasojë e politikave të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu. "Na tregoni fëmijët që kanë humbur gjymtyrët e tyre, këmbët, krahët. Na tregoni vuajtjet atje", deklaroi Sanders.
Senatori amerikan vuri theksin se dënon çdo lloj dhune. "Shohim se në vend janë rritur antisemitizmi dhe islamofobia. Të gjithë duhet ta dënojmë këtë dhe të tregojmë përpjekje për ta ndaluar këtë", tha ai.
Pasi nënvizoi se duhet të dënohen dhe të eliminohen "të gjitha format e fanatizmit" në ShBA, Sanders tërhoqi vëmendjen se të mbash përgjegjës Netanyahun dhe qeverinë e tij për veprimet e tyre nuk është antisemitizëm.