Save the Children deklaroi se ushtria izraelite me sulmet që ka kryer që nga 7 tetori ka vrarë 1 për qind të fëmijëve në Rripin e Gazës.
Në deklaratën me shkrim nga Save the Children theksohet se, sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, më shumë se 10 mijë fëmijë janë vrarë në rajon gjatë sulmeve izraelite.
Në deklaratë thuhet se në Gaza jetojnë 1,1 milion fëmijë dhe theksohej se të vrarët në sulmet izraelite përbëjnë 1 për qind të popullsisë së përgjithshme të fëmijëve në rajon.
"Fëmijët që i mbijetojnë dhunës në Gaza përjetojnë tmerre të papërshkrueshme, duke përfshirë plagët që ndryshojnë jetën, djegiet, sëmundjet, kujdesin e pamjaftueshëm mjekësor dhe humbjen e prindërve dhe njerëzve të tjerë të dashur. Nuk kanë asnjë vend të sigurt për të shkuar, atyre u është dashur të ikin vazhdimisht nga dhuna dhe të përballen me terrorin e një të ardhmeje të pasigurt", thuhet në deklaratë.
Situata në Gaza është e tmerrshme Drejtori për Palestinën i Save the Children, Jason Lee, deklaroi se fëmijët palestinezë kanë paguar një çmim të rëndë për shkak se nuk u arrit një armëpushim në Gaza.
"Mesatarisht 100 fëmijë vriten për çdo ditë që nuk arrihet një armëpushim përfundimtar. Nuk ka asnjë justifikim për vrasjen e fëmijëve. Situata në Gaza është e tmerrshme dhe një fatkeqësi për njerëzimin në përgjithësi", tha Lee.
Duke theksuar se fëmijët po paguajnë një çmim të rëndë për shkak të situatës në Gaza, Lee tha: "Për afërsisht 100 ditë, fëmijët kanë paguar çmimin e një konflikti në të cilin nuk janë palë. Ata janë të tmerruar, të lënduar, të plagosur dhe 1 për qind e popullsisë së fëmijëve në Gaza tashmë është prekur nga bombardimet dhe sulmet izraelite. Të tjerët gjithnjë e më shumë po përballen me vdekjen nga uria dhe sëmundjet. Dëmtimi mendor i pësuar nga fëmijët e mbijetuar dhe shkatërrimi i plotë i infrastrukturës, duke përfshirë shtëpitë, shkollat dhe spitalet, ka lënë të errësuar të ardhmen e tyre”.
Në sulmet e Izraelit në Gaza që nga 7 tetori 2023, u vranë 23.469 palestinezë, përfshirë 10.300 fëmijë dhe 7.100 gra.