Senatori Sanders: ShBA-ja duhet të ndalojë ndihmën ushtarake për Izraelin        / Foto: AA

Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të ndalojë ndihmën ushtarake për Izraelin në luftën e tij të vazhdueshme në Rripin e Gazës, tha të martën senatori Bernie Sanders.

"Shtetet e Bashkuara duhet të ndalojnë të gjithë ndihmën ushtarake sulmuese për Izraelin dhe të përdorin levat tona për të kërkuar fundin e kësaj lufte, rrjedhën e papenguar të ndihmave humanitare në Gaza, ndalimin e vrasjes së palestinezëve në Bregun Perëndimor dhe hapat fillestarë drejt një zgjidhje me dy shtete”, tha Sanders në një deklaratë.

Vërejtjet e tij erdhën pasi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu pretendoi se ShBA po i mban armët Izraelit.

Netanyahu tha se Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken e siguroi atë se administrata e Biden po punon për të anuluar kufizimet në dërgesat e armëve në Izrael për një luftë që ka vrarë ose plagosur mbi 100.000 njerëz.

Kryeministri izraelit tha se kur Blinken ishte kohët e fundit në Izrael, ata patën një "bisedë të sinqertë". “Por, unë thashë edhe diçka tjetër: thashë se është e paimagjinueshme që në muajt e fundit, administrata i ka mbajtur armët dhe municionet Izraelit”, tha Netanyahu në një video në gjuhën angleze.

"Pa dyshim, ne do të dëgjojmë ankesa të ngjashme kur ai t'i drejtohet Kongresit më 24 korrik," tha Sanders, duke përsëritur se është "absurde" që Netanyahu u ftua për t'iu drejtuar ligjvënësve.

Sanders tha tashmë se ai nuk do të marrë pjesë në fjalimin e "kriminelit të luftës" Netanyahu.

Izraeli, i cili ka shpërfillur një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon një armëpushim të menjëhershëm, është përballur me dënimin ndërkombëtar në mes të ofensivës së tij brutale të vazhdueshme në Gaza që nga sulmi i 7 tetorit 2023 nga grupi palestinez Hamas.

Më shumë se 37.350 palestinezë janë vrarë që atëherë në Gaza, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, dhe mbi 85.400 të tjerë janë plagosur, sipas autoriteteve lokale shëndetësore.

Mbi tetë muaj pas luftës izraelite, pjesë të gjera të Gazës janë në gërmadha mes një bllokade gjymtuese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, vendimi i fundit i së cilës e urdhëroi atë të ndalonte menjëherë operacionin e tij në qytetin jugor të Rafahut, ku mbi një milion palestinezë kishin kërkuar strehim nga lufta përpara se të pushtohej më 6 maj.

TRT Balkan / agjencitë