Të paktën 2.000 persona u arrestuan brenda dy javë gjatë protestave në mbështetje të Palestinës të mbajtura në kampuset universitare në ShBA.
Në dhjetëra kampuse universitare, përfshirë institucionet më prestigjioze të arsimit të lartë në ShBA, që nga 18 prilli po protestohet kundër sulmeve të Izraelit ndaj civilëve në Gaza.
Sipas informacioneve të marra nga Associated Press (AP) duke përdorur burimet e veta, në këto protesta janë arrestuar të paktën 2.000 protestues, përfshirë shumë pedagogë dhe profesorë.
Ndërhyrja e policisë në UCLA
Ndërsa kampet e solidaritetit me Gazën të ngritura në kampuset universitare në gjithë vendin u shpërndanë me presionin e administratës së universiteteve dhe ndërhyrjen e ashpër të policisë, kampuset universitare në shtetin e Kalifornisë u bënë një nga zonat e protestës ku pati më shumë aktivitet në 24 orët e fundit.
Në Universitetin California, Los Angeles (UCLA) ndodhën "skena kaotike" kur njësitë speciale të policisë ndërhynë ndaj studentëve në orët e para të ditës. Policia e rajonit njoftoi se të paktën 200 persona u arrestuan në bastisjen e policisë në UCLA dhe se këta persona po mbahen në burgun e qytezës qendrore të Los Angelesit.
Kampet e protestës u shpërndanë dhe studentët u arrestuan edhe në universitetet e New Hampshire, Arizonës Veriore dhe Tulane. Pas Universitetit Columbia, Në New York që është pionieri i kampeve të solidaritetit me Gazën, aktivistët u shpërndanë nga ndërhyrja e ashpër e policisë në protestat në universitetet City College, Stony Brook, Buffalo dhe Fordham.
Studentët pyetën policinë "ku ishit mbrëmë?"
Derisa policia përpiqej të shpërndante kampin e solidaritetit me Gazën, studentët e UCLA duke i rikujtuar sulmin ndaj tyre nga një grup pro-izraelit, pyetën forcat e sigurisë "Ku ishit mbrëmë?".
Studentët mbështetës të Palestinës e pyetën policinë se pse nuk u mbrojtën nga mbështetësit izraelitë që i sulmuan me mjete prerëse, çekiç dhe gurë dhe pse sulmuesit nuk u arrestuan. Tensionet u rritën në UCLA mbrëmë natën kur një grup pro-izraelit me maska sulmoi zonën e tendës në kampus dhe u deshën orë të tëra që policia të ndërhynte në incident.
Zyrtarja e Këshillit Mysliman për Marrëdhënie me Publikun, Rebecca Husaini tha se "Komuniteti duhet të ndiejë se policia po i mbron ata, duke mos lejuar që të tjerët t'i dëmtojnë".
Dega e Shoqatës Amerikane të Profesorëve të Universitetit Columbia në një deklaratë që publikoi në mediat sociale, dënoi administratën e shkollës e cila thirri Departamentin e Policisë së New Yorkut që të ndërhynte për të shpërndarë studentët që ofruan mbështetje për Palestinën në kampus.