Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, zhvilloi një bisedë telefonike me Ministrin e Jashtëm të Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA), Abdullah bin Zayed Al Nahyan, ku u diskutuan përpjekjet për të ulur tensionet rajonale në Rripin e Gazës dhe Liban.
Sipas deklaratës së Departamentit Amerikan të Shtetit, Blinken dhe Nahyan diskutuan përpjekjet e vazhdueshme për të ulur tensionet rajonale në Rripin e Gazës dhe Liban, si dhe rëndësinë e përfundimit të luftës në Gaza, sigurimin e lirimit të të gjitha pengjeve dhe lehtësimin e vuajtjeve të popullit palestinez.
Blinken dhe Nahyan diskutuan përpjekjet për të gjetur një zgjidhje diplomatike për konfliktin përgjatë Linjës së Kaltër, duke zbatuar plotësisht rezolutën 1701 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB).
Rezoluta 1701 e KS-OKB-së
Rezoluta nr. 1701 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së parashikon që Izraeli të tërhiqet pas "Linjës së kaltër" dhe të çmilitarizojë zonën midis kësaj linje dhe lumit Litani në Liban. Sipas kësaj rezolute, në këtë territor vetëm ushtria libaneze dhe forcat e OKB-së në Liban (UNIFIL) kanë të drejtë të kenë armë dhe pajisje ushtarake.
Por, pothuajse të gjitha zonat midis lumit Litani në Libanin jugor dhe "Linjës së kaltër" e cila përcaktohet si kufiri me Izraelin, kanë qenë nën ndikimin e fortë ushtarak të Hezbollahut që nga viti 2000.