ShBA-ja: Kalimi kufitar Rafah të hapet "sa më shpejt të jetë e mundur" / Photo: AA

Shtëpia e Bardhë tha të martën se dëshiron që kalimi kufitar Rafah midis Rripit të Gazës të rrethuar dhe Egjiptit të hapet "sa më shpejt të jetë e mundur" pasi forcat izraelite pushtuan zonën.

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby, u tha gazetarëve se presidenti amerikan Joe Biden, gjatë një bisede telefonike me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, tregoi nevojën për të hapur shpejt Kerem Shalom, pikëkalimin kufitar midis Gazës jugore dhe Izraelit që është rruga kryesore e hyrjes për dërgimin e ndihmave.

Ai shtoi se Netanyahu "e siguroi presidentin amerikan se kalimi do të hapet shumë shpejt".

"Duhet të shohim që kjo të ndodhë, por tani kalimi është i mbyllur. Rafah është gjithashtu i mbyllur dhe ne duam ta shohim atë të hapur sa më shpejt të jetë e mundur", tha Kirby.

Ai theksoi se është thelbësore të vazhdojë dërgimi i ndihmave humanitare në Gaza.

"Kjo ishte pika kryesore që Presidenti Biden bisedoi dje në telefon me Netanyahun dhe ne e mbështetëm atë në nivele të tjera brenda administratës", shtoi Kirby.

Izraeli ka marrë “kontrollin operacional të anës së Gazës të vendkalimit Rafah”, pasi gjatë natës përparoi përderisa avionët e tyre luftarak goditën shtëpitë e banimit.

Dje, forcat izraelite lëshuan urdhra evakuimi për palestinezët në pjesën lindore të qytetit Rafah, një lëvizje që konsiderohet gjerësisht si një fillim i sulmit të paralajmëruar prej kohësh ndaj qytetit palestinez, ku po strehohen rreth 1,5 milion banorë të zhvendosur.

Pas njoftimit të grupit palestinez Hamas për pranimin e propozimit kataro-egjiptian për armëpushim në Gaza, kabineti i luftës izraelite vendosi të vazhdojë operacionin në Rafah për të ushtruar, siç thuhet, "presion ushtarak ndaj Hamasit për të çuar përpara lirimin e pengjeve dhe objektiva të tjera të luftës”.

TRT Balkan / agjencitë