Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Matthew Miller, ka deklaruar se ShBA-ja "përfundimisht" dëshiron ta shohë Izraelin të tërhequr nga Rripi i Gazës.
Kjo deklaratë vjen pas komenteve të liderit të opozitës izraelite, Benny Gantz, i cili tha se ushtria izraelite do të qëndrojë aktive në Gaza për vite me radhë.
"Ne përfundimisht duam ta shohim Izraelin të tërhequr plotësisht nga Gaza", tha Miller i pyetur nga Anadolu lidhur me komentet e liderit të opozitës izraelite.
Pasi ushtria izraelite dje njoftoi vrasjen e liderit të Hamasit, Yahya Sinwar, në një sulm në Rripin e Gazës, Gantz, kryetar i partisë së Unitetit Kombëtar dhe ish-ministër i Kabinetit të Luftës, vrasjen e tij e quajti një "arritje të rëndësishme", por theksoi se kjo nuk shënon fundin e luftës.
Ushtria izraelite, shkroi Gantz në platformën sociale X, "do të vazhdojë të operojë në Rripin e Gazës për vitet në vijim dhe Izraeli duhet të përfitojë nga vdekja e Sinwar-it" për të sjellë pengjet për të zëvendësuar sundimin e Hamasit.
I pyetur nëse ShBA-ja ende kundërshton riokupimin e Gazës, një qëndrim i artikuluar nga sekretari i shtetit, Antony Blinken, në një fjalim në Tokio nëntorin e kaluar, Miller konfirmoi: "Sigurisht".
Derisa Miller nuk pranoi t'u përgjigjet drejtpërdrejt komenteve të Gantz-it, ai përsëriti se ShBA-ja dëshiron që Izraeli të tërhiqet plotësisht nga Gaza.
"Ata kanë të drejtë, si çdo vend, të adresojnë kërcënimet terroriste kundër popullit të tij. Por, ajo që ne duam të shohim si fund të kësaj lufte, kërcënimi terrorist nga Gaza të eliminohet dhe ne duam të shohim përfundimisht një rrugë politike që vendos një shtet palestinez që nuk është armiqësor ndaj Izraelit", tha ai.
"Sigurisht, ju nuk do të dëshironit të shihni dhe nuk do të kishit nevojë të shihni IDF-në (ushtrinë izraelite) që vepron në atë mjedis", shtoi ai.