ShBA-ja: Rezoluta e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Gazën, jodetyruese.     /Foto: AA

Shtetet e Bashkuara të Amerikës njoftuan të hënën se rezoluta e Këshillit të Sigurimit të OKB-së e miratuar më herët gjatë ditës që kërkon një armëpushim të menjëhershëm në Gaza është "jo detyruese".

"Është një rezolutë jodetyruese. Ne nuk vendosëm veton ndaj saj sepse menduam se gjuha në lidhje me armëpushimin dhe lirimin e pengjeve ishte në përputhje me qëndrimin e gjatë të Shteteve të Bashkuara", u tha gazetarëve zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller.

Duke vënë në dukje negociatat e vazhdueshme në Doha, Katar për të arritur një armëpushim në këmbim të lirimit të të burgosurve izraelitë dhe palestinezë, Miller tha:

"Nuk mund të them se kjo rezolutë do të ketë ndonjë ndikim në ato negociata. Por, ato negociata janë në vazhdim. Ato vazhduan gjatë fundjavës dhe bënë përparim", shtoi ai.

Sipas Kartës së OKB-së, të gjitha rezolutat e Këshillit të Sigurimit janë të detyrueshme sipas ligjit ndërkombëtar.

I pyetur nga një gazetar i Anadolu në lidhje me pretendimet e vendeve të tjera se rezoluta e Këshillit të Sigurimit të OKB-së është e detyrueshme, Miller u përgjigj: "Interpretimi ynë i kësaj rezolute është se ajo nuk është detyruese".

Ambasadorja e ShBA-së në OKB Linda Thomas-Greenfield tha se Uashingtoni nuk ishte dakord me rezolutën, sepse ajo injoroi kërkesën e ShBA-së për të dënuar Hamasin.

"Edhe pse ShBA-ja nuk u pajtua me gjithçka në rezolutë, ne mbështesim plotësisht disa nga qëllimet kryesore të kësaj rezolute jodetyruese. Dhe ne besojmë se ishte e rëndësishme që Këshilli të flasë dhe ta bëjë të qartë se çdo armëpushim duhet të vijë me lirimin e të gjithë pengjeve", tha Thomas-Greenfield.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi një rezolutë të hënën duke kërkuar një armëpushim në Gaza gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, i cili filloi më 11 mars dhe përfundon më 9 prill.

Për rezolutën votuan 14 vende, e cila u prezantua nga dhjetë anëtarë të zgjedhur të Këshillit, ndërsa ShBA-ja abstenoi nga votimi.

Rezoluta bëri thirrje për "një armëpushim të menjëhershëm gjatë Ramazanit, të respektuar nga të gjitha palët, duke çuar në një armëpushim të përhershëm të qëndrueshëm".

Gjithashtu, rezoluta kërkoi "lirimin e menjëhershëm dhe të pakushtëzuar të të gjitha pengjeve, si dhe sigurimin e qasjes humanitare për të adresuar nevojat e tyre mjekësore dhe të tjera humanitare".

TRT Balkan / agjencitë